“Mendoj ende si lojtar”, rrëfimi special i Igli Tares: Ju tregoj sekretin e suksesit si drejtor sportiv

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 7, 2020 | 16:55

“Mendoj ende si lojtar”, rrëfimi special i Igli Tares: Ju tregoj sekretin e suksesit si drejtor sportiv

Nuk ka as buxhetin e Juventusit dhe as të Interit, por është rivale kryesore me bardhezinjtë që ka lënë pas deri më tani zikaltrit në Serinë A. Sot është një ndër drejtorët më të suksesshëm.

tare

Në Itali, vlerësimet dhe elozhet për shqiptarin sa vijnë dhe shtohen. Igli Tare, çdo ditë e më tepër e ka treguar se në punën e tij i ngjan një bomberi nga zyra, por edhe një fantazisti të mrekullueshëm i cili ideon dhe finalizon lëvizje të zgjuara në merkaton e transferimeve.

Jo vetëm duke i sjellë përfitime dhe bilance superpozitive Lacios, por edhe duke i afruar trajnerit të bardhekaltërve futbollistë shumë të vlefshëm që në pak kohë, bëhen të shumëkërkuar nga skuadrat e tjera me çmim shumë herë më të lartë se ai i blerjes.

POST-MILAN

Në një ndeshje me shumë mungesa, Lacio u mposht 0- 3 nga Milani në fundjavën që lamë pas. Mirëpo, nëse në shumë vende të tjera do të ishte trajtuar si një tragjedi dhe histori dështimi, mediat italiane kanë zbardhur fjalimin e Tares në prani edhe të presidentit Lotito, në dhomat e zhveshjes. 3 gola të pësuar, një disfatë që e ndal ekipin kryeqytetas nga rruga për të ndjekur Juventusin në garën për titull, tani -7 pikë. Por asnjë dramë.

“Jeni të fortë. Keni qenë të mëdhenj dhe tani nuk do të dorëzohemi. Le të men dojmë për Leçen. Është një ndeshje që do ta zhvillojmë pas pak orësh (të martën në 19:30). Tani jeni të lodhur, pushoni sepse do të na duhet që të rifillojmë menjëherë. Keni dhënë gjithçka, ndaj mos e ulni aspak moralin pasi asgjë nuk ka përfunduar”, raporton “La Lazio Siamo Noi” të ketë qenë një pjesë e fjalimit që Tare ka mbajtur në dhomat e zhveshjes pas humbjes ndaj Milanit, teksa i pranishëm ka qenë edhe presidenti Lotito.

SEKRETI I DREJTORIT

Igli Tare, në një intervistë për revistën zyrtare “Lazio Style”, ka rrëfyer edhe një pjesë të sekretit se si është shndërruar në një nga drejtorët më të kërkuar sot në Serinë A dhe jo vetëm. Ndër të tjera, ish-bomberi i Kombëtares ka treguar se hapat e tij të parë për këtë post që mban aktualisht, i ka hedhur teksa ka qenë ende një futbollist profesionist.

“Pas karrierës si futbollist, kam qenë i bindur se do të mbetesha në botën e futbollit. Nuk e dija nëse do të isha si drejtues apo si trajner. Mirëpo, jeta ime do të mbetej sërish e lidhur me këtë sport”, është shprehur fillimisht Tare.

Tare

MENTALITETI

Ish-bomberi i Kombëtares ka treguar edhe se çfarë mentaliteti e ka shndërruar atë në drejtuesin që është sot. “Që kur kam qenë futbollist, interesohesha për pjesën se si funksionon pas fushës së lojës. Mendoja ndryshe nga të tjerët. Kisha kuriozitet për pjesën drejtuese të një klubi, gjë e cila më ka ndihmuar shumë në karrierën time.

Në momentin që nisa rrugëtimin e drejtuesit, doja që të tregoja veten. Kisha mbi shpatulla një eksperiencë të rëndësishme dhe i kam thënë gjithmonë që nëse do të bëj detyrën e drejtorit sportiv, do të vazhdoj të arsyetoj me kokën e një futbollisti. Kjo ka qenë një mënyrë e mirë për të ndihmuar veten, sidomos në momentet më të vështira”, ka deklaruar Igli Tare.

OLSI TUJANI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"