“Mendjen e kisha te merkatoja”, rrëfehet Gripshi: E dija që ishte aksion goli, Bregu fantastik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 28, 2020 | 20:09

“Mendjen e kisha te merkatoja”, rrëfehet Gripshi: E dija që ishte aksion goli, Bregu fantastik

Skënderbeu është “zgjuar”. Edhe pse janë ende në vendin e 8-të, shpresat për t’u ringritur janë shtuar pas dy fitoreve radhazi. Luhatjet e pjesës së parë të sezonit kanë mbetur si një kujtim i së shkuarës te bardhekuqtë. 

gripshi

I këtij mendimi është edhe Nazmi Gripshi, i cili në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” skanon deri në detaje 90 minutat kundër Flamurtarit dhe aksionin e golit në frymën e fundit. Pohon se e ka pasur mendjen te merkatoja dhe ofertat, megjithatë në fund ka pranuar vendimin e presidentit.

 Fituat me vuajtje ndaj Flamurtarit, besonit vërtet që do të vinte goli në fund?

Për të qenë i sinqertë, gjatë gjithë takimit e mendoja golin. Nuk mund të përfundonte barazim. Krasniqi kishte një rast para se të shënonim, ndaj nëse do të kishim realizuar në fund, nuk do të ishim aspak të qetë. E megjithatë, shyqyr që ia dolëm dhe morëm këtë trepikësh.

 Shkuat deri në fundore dhe insistuat për të qenë atje. Ishit i bindur se ishte aksion goli?

Po, në fillim kundërshtari më pengoi, por arrita të qëndroja në këmbë. Nuk doja të rrëzohesha, pasi nuk e dinim se çfarë vendimi do të merrte arbitri, mbase dhe nuk do të jepte gjë. Ndaj, këmbëngula që të shkoja deri në fund. Ngrita kokën për të parë kush ishte bosh dhe gjeta Krasniqin. Shyqyr që ishte Bregu pranë dhe topi shkoi tek ai. Ishte gol mjaft i rëndësishëm. Po të shohësh që në dy ndeshjet e para të këtij viti kemi gjashtë pikë të marra, do të thotë që e kemi nisur shumë mirë.

Gripshi, në këtë pjesë të kampionatit e keni nisur ndryshe. Jeni më i qetë? 

Të qetë kemi qenë gjithmonë, por duket se tani jam ambientuar në pozicionin e ri në mesin e fushës. Trajneri Daja më ka dhënë besim dhe mendoj se po bëj mirë.

Ndiheni më mirë në këtë rol të ri, duke bërë rafiniturën e pasit të fundit? 

Unë mendoj vetëm që të bëj më të mirën si këtu apo edhe në sulm. Më pas e di trajneri se ku duhet të luajmë dhe çfarë detyrash duhet të përmbushim.

Vertikalizimet munguan, ndryshe nga Partizani. Pse ndodhi kjo? 

Kishte pak, është e vërtetë. Shkak u bë fusha, e cila nuk ishte në gjendjen e vet më të mirë. Ne nuk jemi mësuar me lojë në ajër, duke kaluar nga mbrojtja në sulm, por besoj se ndeshjen tjetër do të luajmë shumë herë më mirë.

 U krijua ideja që Gripshi do të largohej në merkato. Çfarë ndodhi më pas? 

Ajo është një çështje që i takon presidentit dhe jo mua. Besoj se ka pasur oferta për mua dhe presidenti ka vendosur që të mos më largojë. Unë jam në kontratë me Skënderbeun, ndaj më mbetet që të bëj më të mirën time këtu, pa u shpërqendruar në çështje të tjera.

gripshi

E kishit ndopak mendjen te merkatoja? 

Mendjen te merkatoja e ka gjithkush, por unë isha i bindur se do të vijoja të punoja fort dhe të bëja më të mirën time në fushë.

Nëse vazhdoni kështu, ku e shikoni veten?

Vazhdojmë kështu siç jemi dhe llogaritë i bëjmë në fund. Le të shkojmë përpara dhe të japim më të mirën. Në fund shohim gjendjen fizike dhe renditjen me golat dhe asistet.

E kishit menduar 6 pikë në dy ndeshje? 

E kishim menduar që të hynim në fushë dhe të jepnim më të mirën tonë gjithmonë duke u përpjekur që të marrim maksimumin nga takimet. Tani kemi një ndeshje të vështirë në Laç dhe do të shkojmë atje me qëllim që të bëjmë mirë dhe të dalim me një rezultat pozitiv nga fusha.

 Si ju duket mesfusha e Skënderbeut tani që jeni pjesë e këtij reparti? 

Si Dajën, Taipin, Elezin apo edhe Marën që hyri në pjesën e dytë kemi krijuar një grup lojtarësh me cilësi. Bëjmë gjithmonë maksimumin që të ndihmojmë sulmuesit të arrijnë te goli. Jemi ndërtuar mirë, pasi si Elezi dhe Daja janë lojtarë që shkatërrojnë, por edhe ndërtojnë.

 A është sulmi arma e fortë, pasi veç jush, janë edhe Krasniqi, Bregu e Ndeki?

Jemi të rinj, por lojtarë të fortë. Si Bregu dhe Ndeki janë shumë të mirë. Bregu në zona të ngushta është fantastik, ndërsa Ndeki në luftën 1 kundër 1 të sjell probleme.

A e harruat Skënderbeun e pjesës së parë të kampionatit?

E kemi diskutuar se ky vend nuk na takon. Kemi bërë gabime dhe shpresojmë që të mos i përsërisim më. Duhet të bëjmë më të mirën si ndaj ekipeve të forta ashtu edhe ndaj atyre që në letër janë më të dobëta.

Sipas jush, ku e mbyll Skënderbeu kampionatin? 

Besoj se brenda tri vendeve të para.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"