Memushi tregon “recetën”: Kualifikohet Flamurtari, ja si do ia dalin vlonjatët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2018 | 13:14

Memushi tregon “recetën”: Kualifikohet Flamurtari, ja si do ia dalin vlonjatët

Eqerem Memushi i jep Flamurtarit “recetën” sesi fitohet Kupa e Shqipërisë. Ish-trajneri, që solli në Vlorë këtë trofe, mendon se vlonjatët i kanë shanset e kualifikimit.

805153354

Për Memushin, skuadra që drejtonte ishte e brishtë, ndërsa kjo është një skuadër e pjekur dhe me autoritet. Por, Memushi ndahet në një pikë. Ish-trajneri mendon se Flamurtari i para 6 viteve, që ishte pretendent për titullin kampion, ishte më i mirë se ky ekip.

Memushi, çfarë prisni nga ndeshja Partizani-Flamurtari?

Presim kualifikimin. Duke parë ecurinë e Flamurtarit dhe Partizanit edhe në kampionat, them me bindje se ne jemi afër kualifikimit, pra, Flamurtari ka shumë shanse. Na jepni disa arsye pse kualifikohet Flamurtari? Ecuria aktuale e Flamurtarit në kampionat, rezultati i ndeshjes së parë këtu në Vlorë, gjendja e mirë që po kalon ekipi, them se e bënë Flamurtarin më superior ndaj Partizanit. Natyrisht që dua të them se është për t’u vlerësuar shumë edhe Partizani, respekt për këtë skuadër.

Kush mendoni se mund ta bëjë diferencën nesër (sot)?

Diferencën e bën Flamurtari me kualitetet që ka. Është ajo skuadër që pretendon të arrijë një objektiv të caktuar, siç janë Kupat e Europës, dhe ky objektiv mund të kapet lehtësisht edhe nga Kupa e Shqipërisë.

Parashikoni një rezultat se sa mund të mbyllet kjo ndeshje?

Uroj që të jemi ne gjysmë- finalistët e parë. Patjetër që do të fitojmë. Ju keni fituar me Flamurtarin Kupën e Shqipërisë, çfarë i këshilloni këtij Flamurtari? Këshilla ime është që ky ekip të japë maksimumin në fushë. Me sa kam dëgjuar futbollistët dhe stafin në intervista, ata thonë se pretendojnë Kupat e Europës. Them se ky ekip e arrin këtë objektiv.

Memushi

Si i kujtoni emocionet kur fituat kupën me Flamurtarin dhe rrugëtimin deri aty?

Emocione shumë të forta. Por, edhe Shpëtim Duro i ka kaluar këto emocione. Duro ka fituar një titull me Skënderbeun, por edhe Kupën e Shqipërisë me Besën. Kështu që është kënaqë- si e veçantë. Unë i uroj Duros që të futet në listën e trajnerëve që kanë sjellë trofe në Vlorë.

Cilat janë ndryshimet e Flamurtarit aktual me ekipin që ju fituat Kupën e Shqipërisë?

Ndryshimet janë shumë të mëdha. Në këtë ekip të tanishëm kemi lojtarë me eksperiencë, që kanë luajtur edhe jashtë Shqipërisë. Ndërsa skuadra ime ishte e re. Mosha mesatare e saj ishte 21.3 vjeç. Ishte skuadër e brishtë, më e reja e kampionatit në atë kohë. Pasi fituam Kupën e Shqipërisë, ne shfaqëm oshilacione në kampionat. Ndërsa Flamurtari aktual është një skuadër e pjekur, që nga stafi, portieri e deri te lojtari i fundit. Është një skuadër e pjekur dhe me autoritet.

Memushi

Mund ta quajmë këtë Flamurtar si më të mirin e këtyre viteve të fundit?

Mund ta quajmë për nga ecuria. Por, ne kemi pasur një ekip para 5-6 vjetësh për titullin kampion. Them se skuadra që ishte për titull kampion ishte më e mirë se kjo.

Ka shanse Flamurtari për të rivalizuar me Skënderbeun për titull?

Tani sa ka filluar faza e tretë. Pikët janë në fushë. Në Korçë, Flamurtari nuk e meritonte humbjen. Çdo gjë mund të ndodhë, por unë e shikoj të vështirë për shkak të diferencës që ka Skënderbeu. Kjo varet edhe nga mentaliteti, drejtuesit, futbollistët, por besoj se ata janë të kënaqur edhe në Kupat e Europës. Është e vështirë të rivalizosh Skënderbeun.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"