Memushi: Ju tregoj një recetë për kupën, kemi mundësi të luftojmë akoma në 2 fronte

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2018 | 11:06

Memushi: Ju tregoj një recetë për kupën, kemi mundësi të luftojmë akoma në 2 fronte

E qerem Memushi e di më mirë se kushdo tjetër se si fitohet Kupa e Shqipërisë. Ish-trajneri i Flamurtarit, fitues i këtij trofeu në vitin 2009, në një intervistë për “Panorama Sport”, jep edhe recetën fituese. Sipas Memushit, Flamurtari i ka të gjitha kushtet për të kapur Europën, ndërsa shpreh keqardhjen për dënimin e Skënderbeut që e vlerëson si skuadrën më të mirë të kampionatit shqiptar.

Memushi, mendoni se Flamurtari kualifikohet në finalen e Kupës së Shqipërisë?

Na favorizon dhe rezultati i ndeshjes së parë që e mbyllën 0-1. Mendoj se me pak kujdes 70 për qind jemi ne finalist. Unë e kam thënë edhe më parë se uroj që profesor Duro të jetë një nga ata trajnerë që të jetë në listën e atyre trajnerëve që kanë sjellë Kupën e Shqipërisë në Vlorë.
Memushi
Çfarë këshilloni për ndeshjen e kthimit me Skënderbeun?
Skënderbeu dihet se çfarë skuadre është që po kryeson kampionatin me shumë meritë. Jo vetëm kaq, por po kryeson me pikë dhe me lojë të bukur. Këtë e demonstroi edhe në takimin që luajti në Vlorë për kampionat dhe që fitoi me rezultatin 0-3. Kështu që, skuadra duhet të jetë shumë e kujdesshme për të arritur deri në finale.

Një Flamurtar me oshilacione këtë fazë të tretë, si e keni parë ju?


Të gjithë kemi qenë optimist me ecurinë që kishte Flamurtari dhe me lojën e bukur. Ishte një skuadër pragmatike. Ishte fatkeqësi që ndodhi kështu. Në tetë javë, të arrish të marrësh katër pikë, nuk e di çfarë ka. Këtë e di mjaft mirë skuadra, ekipi, drejtuesit…

A mund të arrihet Europa edhe nga kampionati?

Me fitoren e arritur në Lushnjë, skuadra është në valle edhe në kampionat. Nuk duhet të heqë dorë as nga arritja e Europës nga kampionati. Por, është gjë e madhe që ka hedhur edhe gjysmë hapi në finalen e Kupës së Shqipërisë. Janë edhe 7 javë akoma nga kampionati dhe pikët janë akoma në lojë.

 Si e vlerësoni dënimin e Skënderbeut nga UEFA?

Është një fatkeqësi e madhe për futbollin shqiptar, dënimi i Skënderbeut. Është realitet i prekshëm që ai ekip meriton kampionatin si me pikë ashtu edhe me lojë. Por i ka të gjitha kushtet si skuadër europiane. Do të jetë një dënim shumë i madh, për prishjen e imazhit të futbollit shqiptar.

Mendoni se ky dënim është shembull edhe për skuadrat e tjera?

Nuk ia uroj asnjë skuadre që t’i ndodhë kjo gjë, aq më shumë Skënderbeut. Është një skuadër që na ka përfaqësuar denjësisht edhe në arenën ndërkombëtare, duke kaluar turet edhe me ndeshje të bukura. Është fatkeqësi e madhe për futbollin tonë, dënimi i Skënderbeut.

Cilat skuadra shikoni në garë për Europën?

Skuadrat nuk janë larg njëra-tjetrës dhe matematika e lejon edhe Flamurtarin të kapë Kupat e Europës nga kampionati. Janë shtatë javë dhe me Laçin, Luftëtarin, Partizanin na ndajnë 4-5 pikë që nuk janë asgjë. Flamurtari duhet të marrë hapin e madh të arrijë në finalen e Kupës. Më pas, t’i marrë ndeshjet me radhë dhe të mos gabojë shumë, që ta kapim edhe nga kampionati Europën

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"