Memushaj ul euforinë: Kujdes, nuk kemi arritur ende asgjë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2018 | 19:14

Memushaj ul euforinë: Kujdes, nuk kemi arritur ende asgjë!

Mesfushori vlonjat i Kombëtares ul euforinë. Në një intervistë për “Panorama Sport” pas fitores me Izraelin deklaron se 3 pikë janë mirë për të përmirësuar ambientin në përfaqësuese, por asgjë në rast se nuk shoqërohen me një tjetër rezultat pozitiv ndaj Skocisë.

memushaj

Shqipëria e nisi me fitore Ligën e Kombeve. Si ju duk loja?

Ishte më mirë se herët e fundit. Në këtë ndeshje, rëndësi kishte fitorja, jo performanca. Na kënaq fakti që e nisëm me këmbën e mbarë.

Kishte disa të rinj që u aktivizuan. Sa u përshtatën sipas jush?

Ka shumë djem të rinj që kanë kualitet dhe janë të rëndësishëm. Me kalimin e kohës do të jenë edhe më të vlefshëm për skuadrën për të mbajtur edhe peshë në këtë ekip.

Riktheheni pas një mungese në Kombëtare, si e gjetët skuadrën?

Në fillim, humori nuk ishte shumë i mirë. Ekipi vinte nga një periudhë e vështirë dhe normalisht që nuk mund të ishim të kënaqur. Ambienti ishte disi negativ në fillim kur erdhëm, e kjo ishte edhe arsyeja kryesore që duhet të fitonim patjetër, pavarësisht performancës.

A mjafton kjo fitore për të rikthyer qetësinë?

Sigurisht që do të na qetësojë, ama kujdes. Sapo dolëm nga fusha me këtë fitore dhe do ta kemi mendjen te Skocia, sepse s’kemi bërë asgjë.

Duke parë Izraelin dhe forcën që ka ky grup i Kombëtares sonë, ku mendoni se mund të pozicionohet Shqipëria në këtë grup?

Është e vështirë të dalim në përfundime se në çfarë vendi do të dalim, pavarësisht dëshirave që mund të kemi. Duhet të shohim edhe sfidën me Skocinë. Pas këtij takimi, mund të nisim që të bëjmë edhe llogaritë duke qenë se do të kemi një panoramë të qartë për të tria ekipet.

Nisje me fitore si para katër vitesh. A mund të jetë një ogur i mirë që do të ketë sukses edhe në Ligën e Kombeve si arritja në Europian?

Inshalla, do Zoti! Të shpresojmë shumë.

Jeni rikthyer te Peskara, keni deklaruar se ndiheni si në familje…

Po, jam shumë i gëzuar që jam rikthyer aty. Ndihem mirë dhe këtë vit kisha shumë dëshirë dhe nevojë për të luajtur në këtë ekip.

Shumë zëra merkatoje për Memushajn gjatë verës. Çfarë ndodhi?

Jo, bëhet fjalë për deklarata dhe tituj mediash. Unë personalisht e kam pasur të qartë se çfarë dëshire kisha. Të jem i sinqertë, nuk i kam marrë as në konsideratë ato çfarë janë thënë. Që në fillim, doja që të rikthehesha te Peskara dhe kam menduar vetëm për këtë gjë.

Vjet, pak minuta me Beneventon dhe dëmtime. Çfarë objektivi personal keni këtë vit?

Ju më njihni dhe pa dashur të përsëris përgjigjen e mësipërme, po them që duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Është shumë herët si për skuadrën si për Kombëtaren për të dalë në përfundime dhe për të deklaruar objektiva. Personalisht, në kokë kam një objektiv që pas çdo seance stërvitore të përmirësohem më shumë. Çdo ditë dua më tepër nga vetja.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"