Memushaj drejt Beneventos, klauzolë e çuditshme për transferimin
Transferimi i Ledian Memushajt nga Peskara te Benevento tashmë është çështje orësh. Negociatat që vazhdonin prej më shumë se dy javësh me sa duket janë finalizuar me sukses dhe mesfushori i përfaqësueses shqiptare do të largohet nga skudra ku ishte kapiten, për të vazhduar qëndrimin në Serinë A.
Por formula e transferimit të futbollistit është mjaft e çuditshme. Memushaj do të kalojë te Benevento në formën e huazimit për një sezon, por klubi do të jetë i detyruar ta blejë atë në momentin që lojtari do të shkelë në fushën e lojës gjatë një ndeshjeje të Serisë A, duke luajtur qoftë edhe një minutë në elitën e futbollit italian.
Ky është kushti mes palëve, që kanë caktuar edhe shifrën për të cilën do të blihet Memushaj, 700 mijë euro, shumë më pak sesa 2 milionë eurot që pretendonte fillimisht Peskara për kartonin e kapitenit të saj dhe që penguan kalimin e tij te Bolonja dy muaj më parë. Futbollisti shqiptar kishte një marrëveshje deri në vitin 2021 me klubin i cili do të luajë në Serinë B në këtë edicion.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"