Memelli sytë te mbrojtja, në Ballsh ndalohet humbja. Ja situata te Skënderbeu para Bylisit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 24, 2021 | 15:38

Memelli sytë te mbrojtja, në Ballsh ndalohet humbja. Ja situata te Skënderbeu para Bylisit

Skënderbeu luan një transfertë shumë de likate të shtunën në orën 13:00 ndaj Bylisit në stadiumin “Adush Muça”. Megjithatë, kundërshtari i radhës është i vetmi që korçarët këtë kampionat kanë një bilanc pozitiv. Në periudhën kur bardhekuqtë drejtoheshin nga Julian Ahmataj, Skënderbeu arriti të fitonte 0-2 në fazën e parë në Ballsh, si dhe 4-3 në fazën e dytë në Korçë.

Memelli Skenderbeu

Këtë herë skuadra që ka prej pak javësh në krye të pankinës Migen Memellin, shkon ndaj Bylisit me dy pikë më pak në tabelë dhe në rast të një humbjeje, kjo mund të sillte pasoja të mëdha në luftën për mbijetesë. Si kurrë më parë në dekadën e fundit, Skënderbeu mbyll tabelën e klasifikimit dhe ndeshja në Ballsh ka shumë rëndësi për vazhdimësinë. Barazimi ndaj Vllaznisë kryesuese ishte si një pikë kthese për skuadrën, që bindi me lojë ndaj ekipit shkodran. Me Memellin korçarët janë bërë më agresivë si skuadër dhe luajnë për rezultat pozitiv në çdo takim, duke treguar një mbrojtje më të kujdesshme. Megjithatë, të shtunën ndaj Bylisit pikët janë jetike.

SKENDERBEU

STËRVITJA

Në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë trajneri përdori në qendër të mbrojtjes dyshen Randi-Vitija, duke qenë se mungonte Bajrami për shkak kartonësh dhe Sadriu që ende nuk është në 100 % të formës prej dëmtimit. Në sfidën ndaj Bylisit Memelli do ta ketë të plotë skuadrën dhe ai tani ka nisur të punojë më tepër faktikisht dhe fokusi ka qenë pikërisht mbrojtja. Rikthimi i Bajramit dhe Sadriut, jo vetëm që shton konkurrencën për qendrën, por ka vënë në dilemë trajnerin për titullarët që do të jenë në repartin difensiv. Në seancën e djeshme kreu i pankinës është marrë enkas me mbrojtjen për 30 minuta. Gjasat janë që të rikthehet titullar Bajrami, por Memelli ka edhe tri seanca në dispozicion për të fiksuar formacionin anti-Bylisi. Ndeshja ndaj Vllaznisë la të kënaqur trajnerin dhe ndryshimet do të jenë të pakta.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"