Memelli nuk përmbahet: Sa më vjen për të qeshur! Kjo është estradë, ankohen për arbitrat këta!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2021 | 19:12


Memelli nuk përmbahet: Sa më vjen për të qeshur! Kjo është estradë, ankohen për arbitrat këta!

Trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli, e ka cilësuar si qesharak vendimin e gjyqtarit për të anuluar golin e korçarëve. Në “SuperSport” ai komentoi humbjen ndaj Partizanit si të ndikuar nga arbitrit.

Memelli

“O sa më vjen për të qeshur! Topin e ka kapur në kurriz Zhan Viktor. Nuk e ka prekur me dorë, gjuan në kurriz dhe shkon në rrjetë. E dyta, arbitri ka anuluar këtë gol pa marrë sinjal nga VAR-i, e ka anuluar direkt dhe mua lojtari më ka thënë që nuk e kam prekur fare. E ka kapur topi në pjesën e ijës. Këta që marrin vendimet duhet të më thonë edhe që prekja e Dajës në Kamëz pse nuk u dha penallti. Kjo është flagrante fare, mungon një karton i kuq të penalltia. Nuk është prekje me dorë kjo. Kjo është estradë dhe nuk di çfarë të them. Qahen për arbitra këta!

Me jepni edhe golin e shënuar të Partizanit, kush merr pjesë në aksion te goli i dytë i Carës? Merr pjesë Musta në aksion se ka ulur kokën. Rasti më flagrant është i kuqi që nuk u dha te penalltia dhe topi që kap në ije. Imagjinoni kur këto bëhen në “Air Albania”, çfarë duhet të presim në fusha të tjera?.

Nuk e filluam mirë ndeshjen për hir të së vërtetës, vuajtëm presingun e Partizanit, por e morëm veten e barazuam. Morëm një gol me goditje standarte që nuk duhej ta pësonim se kishim punuar në stërvitje për to. Por kjo është detyra jonë për të rregulluar problemet, e përmirësuam në pjesën e dytë duke futur Bajramin se kishim probleme te krahu i Dumfur, Pjesa e dytë më pas foli vetëm për ne dhe ajo çfarë kam sot për skuadrën është vetëm fjalë të mëdha se sido që të jetë kanë bërë një ndeshje të jashtëzakonshme për gati 60 minuta. Ne shënuam e humbëm një penallti tjetër sot dhe ajo çka më jep siguri te puna dhe më jep besim është performanca. Sot erdhëm për maksimumin e bëmë maksimumin por janë disa faktorë që na penalizuan, që janë penalltia e humbur dhe goli i anuluar.

Nuk kam asnjë pishman nga ndeshja. Dukem si qaraman të ankohem javë për javë, këta janë laj-thaj,  nga një ndeshje në tjetrën. Shihet shumë qartë që jemi të penalizuar e vazhdojmë të penalizohemi”, tha Memelli.

PANORAMASPORT.AL