Memelli nuk e fsheh: 43 ditë lodhje dhe pritje, Skënderbeu kërkon kreun!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2022 | 9:45

Memelli nuk e fsheh: 43 ditë lodhje dhe pritje, Skënderbeu kërkon kreun!

Prej 43 ditësh po përgatiten dhe janë më shumë se gati për të nisur rrugëtimin në Kategorinë e Parë. Skënderbeu e ka të qartë çfarë do: ngjitjen e menjëhershme në elitë. Është vetë Migen Memelli që e thotë troç që objektiv është kreu. Gjatë intervistës së dhënë në prag të javës së parë, ai thekson se do të shkojnë në Pukë vetëm për pikët e plota.

MEMELLI

Një sezon i ri fillon nesër (sot) për Skënderbeun. A jeni gati?

Të jem i sinqertë, “gati” nuk është fjala e duhur për të përshkruar një periudhë 43-ditore të kaluara mes përgatitjesh. Ka qenë një punë e palodhshme, mund dhe pritje e gjatë.

A e shihni të kompletuar ekipin, sikundër kërkuat?

Asnjëherë trajnerët nuk kënaqen nga merkato sado cilësore të jetë ajo. E rëndësishme është të them ama, kërkesat janë plotësuar dhe nesër (sot) kemi nga dy futbollistë në çdo pozicion.

Cilët janë objektivat e vendosur nga klubi për këtë sezon në Kategorinë e Parë?

Objektivi për ne do të jetë gjithmonë ndeshja e radhës. Dhe nesër (sot) është Tërbuni. Kundër pukjanëve do të kërkojmë të marrim maksimumin. Por nuk kemi pse ta fshehim që synojmë kreun e renditjes gjatë gjithë kampionatit. Natyrisht kërkesë kjo me respekt maksimal për cilindo kundërshtar që do të përballemi.

Sa e vështirë është transferta e parë në Pukë?

Çdo ndeshje është e vështirë, ndaj edhe kjo ka rëndësinë e vet. Ne kemi punuar në çdo detaj dhe mendoj se jemi gati për startin. Jemi gati të përballemi me çdo kundërshtar, të çdo niveli qoftë.

Sa i njihni kundërshtarët e këtij sezoni?

Të gjitha ekipet kanë bërë punën e tyre dhe për këtë meritojnë respekt. Ne besoj se do ta tregojmë në fushë punën tonë dhe nëse nuk gaboj, kam përshtypjen se do të jetë një kampionat që do të ketë shumë rivalitet. Mos të harrojmë që shumë skuadra të elitës ndër vite këtë sezon janë në këtë kategori. Pa dashur të ndalem në emra, është një kategori që vit pas viti është forcuar ndjeshëm dhe është investuar mjaft nga të gjithë aktorët që bëhen pjesë e saj.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"