Memelli “ngujon” sulmuesit para porte/ Detyra ekstra për 2 futbollistë ndaj Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 8, 2022 | 0:13

Memelli “ngujon” sulmuesit para porte/ Detyra ekstra për 2 futbollistë ndaj Dinamos

Skënderbeu u rikthye pas 12 vitesh në Kat egorinë e Parë, por starti nuk shkoi sipas planit. Nëse fillimisht mendonin që do ta nisnin me fitore dhe si pretendentë, e kundërta ngjau. Kuptuan se rrugëtimi do të ketë shumë pengesa. Dhe e para mban emrin Tërbun. Në Pukë u ndalën te barazimi 1-1.

Skenderbeu stervitje

Rezultat ky që edhe pse mund të shihet si i favorshëm, kur dihet që luhet në transfertë. Dhe në këtë ligë ndeshjet jashtë fushe janë të egra. E megjithatë, Migen Memelli nuk ka mbetur aspak i kënaqur. Trajneri ka qenë i mërzitur dhe kryesisht me mënyrën se si ekipi e interpretoi lojën. Jo vetëm në fillimet e saj, por edhe pas golit të barazimit dhe mbi të gjitha me problematikën që shfaqën në finalizim.

RREGULLAT – Edhe pse me tre sulmues nga minuta e parë, bardhekuqve u ka munguar “shënjestra”. Ata nuk kanë qenë konkretë në portën e kundërshtarit, diçka që në fakt e ka zanafillën që nga faza përgatitore. Për këtë arsye, në seancën e djeshme numri një i pankinës ka vendosur rregulla. Memelli u ka “kyçur gojën” të tijve për median para ndeshjes me Dinamon dhe u ka kërkuar impenjim maksimal gjatë këtyre ditëve para ndeshjes me blutë e kryeqytetit. I prerë dhe kërkues është shfaqur gjatë gjithë seancës së të martës.

SULMI – Për minuta me radhë ka mbajtur të tijtë të ngujuar para portës për t’i vënë sa më shumë në lëvizje në mënyra të ndryshme të finalizimit. Veç sulmuesve, trajneri bardhekuq u ka dhënë detyra edhe Liços e Pecanit. Në momente të caktuara, kur lojtarët e krahut ngjiten lart, të dy duhet të depërtojnë drejt qendrës. Një formë kjo për të mbushur sa më shumë zonën e për të krijuar më shumë pika kontakti në shërbim të lojtarit që zotëron topin.

Nga sa u pa në procesin e djeshëm stërvitor, pogradecari i stolit duket se do të kërkojë të diktojë lojën përballë Dinamos dhe të marrë maksimumin në këtë takim, duke parakaluar blutë në renditje, të cilët e nisën me fitore ndeshjen e parë të kampionatit. Edhe në ditët në vijim pritet që heshtja të vijojë, teksa Memelli deri ditën e analizës para ndeshjes do të jetë kërkues për të marrë maksimumin nga të tijtë.

LLAZI SARO  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"