Memelli mendoi largimin, Skënderbeu merr vendimin për trajnerin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 25, 2022 | 20:21

Memelli mendoi largimin, Skënderbeu merr vendimin për trajnerin

Qetësohet situata në Korçë, atje ku Skënderbeu ka filluar të mendojë menjëherë për përballjen e dyfishtë me Teutën, fillimisht në Kupë e më pas në kampionat. Deklarata e bërë nga trajneri Migen Memelli pas humbjes me Kukësin duket se e ka lëkundur disi ambientin bardhekuq në lidhje me një largim të mundshëm të pogradecarit nga stoli i Skënderbeut.

MEMELLI

Por kjo ka rezultuar veçse një “tymnajë” e asgjë më shumë. Dje, ose më saktë disa orë pas ndeshjes së humbur ndaj Kukësit, Memelli ka marrë konfirmimin e presidentit Ardjan Takaj, i cili u ka dhënë besim stafit teknik dhe lojtarëve edhe pas kësaj humbjeje.

Në kushte të tilla ekipi ka nisur dje punën, ku si fillim është zhvilluar një analizë mes grupit. Memelli u ka shprehur besimin lojtarëve të tij se nga kjo situatë do të duhet të dalin të gjithë bashkë dhe një gjë të tillë do ta bëjnë duke luftuar në çdo cep të fushës.

Trajneri bardhekuq pasi ka analizuar me video të gjithë ndeshjen ndaj Kukësit është ndalur edhe në një fjalim motivimi për lojtarët.

Në këto kushte Memelli ka dashur të shkundë ekipin, me qëllim ringritjen dhe marrjen e maksimumit në dy ndeshjet e radhës, pavarësisht se do të luhen në kushte jo të favorshme atmosferike.

SHEHI- Paralelisht me konfirmimin e trajnerit Memelli ka ardhur edhe goditja e radhës në merkato për Skënderbeun. Bardhekuqtë arrijnë akordin me Dajan Shehin, i cili sapo u largua nga Partizani dhe zgjodhi Skënderbeun për të vijuar pjesën e mbetur të sezonit.

Mbrojtësi elbasanas bëhet kështu afrimi i radhës për korçarët në prapavijë duke kompletuar repartin që kishte më pak alternativa nga Memelli, aq sa disa herë është dashur të eksperimentojë.

Lajmi u konfirmua nga presidenti Ardjan Takaj, i cili për “Panorama Sport” tregoi se zyrtarisht Shehi është një futbollist i Skënderbeut për pjesën e mbetur të sezonit. Shehi pritet që të mbërrijë sot në juglindje për t’u vënë menjëherë nën urdhrat e Memellit.

Nuk dihet ende nëse lojtari do të jetë gati për ndeshjen e Kupës ndaj Teutës që luhet të enjten. Por nëse do të ndodhë kështu, mund të ishte një lehtësim i madh për trajnerin korçar që duhet të bëjë ballë edhe me mungesat e shumta që ka në ekip.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"