“Memelli i duhuri, duhen afrime”, ish-sulmuesi Xhambazi: Kanë nevojë për lojtar me eksperiencë si Vangjel Zguro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2021 | 18:08

“Memelli i duhuri, duhen afrime”, ish-sulmuesi Xhambazi: Kanë nevojë për lojtar me eksperiencë si Vangjel Zguro

Skënderbeu duhet të ruajë boshtin dhe të plotësojë ekipin me elementë të rinj dhe cilësorë për t’i qëndruar objektivit të prezantuar nga Migen Memelli. Ky ka qenë mendimi i ish-sulmuesit të Skënderbeut, Dhimitraq Xhambazi.

xhambazi

Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, ikona e klubit bardhekuq është shprehur besimplotë se me Memellin në krye të pankinës, Skënderbeu ka mundësinë që të ecë më lart sesa në sezonin që lamë pas. Për Xhambazin trajneri aktual i Skënderbeut e tregoi në këtë sezon se është i duhuri për këtë ekip dhe se mund të çojë lart bardhekuqtë, për këtë vlerëson si lëvizjen e duhur nga ana e klubit.

“Mund të them se Skënderbeu i sezonit të ri ka bërë një nisje të mbarë, duke konfirmuar trajnerin. Migen Memelli e tregoi se është i duhuri për këtë skuadër dhe diti ta ngrejë nivelin e ekipit që deri para ardhjes së tij dukej i pashmangshëm për të rënë një kategori më poshtë, kështu që mendoj se kjo ishte lëvizja e duhur nga ana e drejtuesve për të pasur garancinë e trajnerit fillimisht dhe më pas për të ndërtuar ekipin që do të garojë me bindje drejt objektivit të ri të vendosur për sezonin e ardhshëm”, theksoi fillimisht Xhambazi.

EKIPI – Më tej ish-sulmuesi i Skënderbeut ka folur rreth grupit që kanë korçarët në dispozicion dhe plotësimeve të cilat janë të nevojshme për sezonin e ardhshëm. Për Xhambazin boshti duket se është i ndërtuar tashmë dhe mbetet premtues, ndërsa duhet të konfirmohen disa lojtarë dhe të shtohen alternativat në dispozicion të trajnerit në disa reparte. “Mund të them se Skënderbeu i sezonit të ardhshëm bazën e lojtarëve e ka fituar tashmë.

Meta Xhambazi

Memelli ka fituar një bosht lojtarësh që do ta ketë gati për sezonin e ri. Duhet vetëm konfirmimi i disa elementëve që janë në fund të kontratës dhe plotësimi i lojtarëve të larguar. Nëse shohim portën dhe mbrojtjen, mund të them se grupi është. Po ashtu edhe pjesa tjetër e ekipit. Për mendimin tim, Skënderbeu ka nevojë për ndonjë lojtar me eksperiencë siç ishte Zguro në sezonin e kaluar dhe më pas të shtojë alternativat cilësore në dispozicion të trajnerit për të mos pasur mangësi gjatë sezonit”, theksoi Xhambazi.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"