Memelli “ëndërron” finalen e dytë: Kupës i shkojmë deri në fund, kam ekip më të fortë se vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2021 | 10:37

Memelli “ëndërron” finalen e dytë: Kupës i shkojmë deri në fund, kam ekip më të fortë se vjet

Skënderbeu mbyll përgatitjet për ndeshjen e kthimit në Kupë përballë Bylisit, që do të luhet sot në orën 13:30 në stadiumin e Korçës. Pas barazimit 1-1 në sfidën e parë në Ballsh, bardhekuqtë do të luajnë shanset e një kualifikimi në turin tjetër. Fitorja në kampionat ndaj Kukësit rriti moralin e korçarëve, por nuk duhet të përfundojë me kaq. Kualifikimi në çerekfinale është detyrim dhe një kusht i përcaktuar qartë nga presidenti Ardjan Takaj. Në një linjë është edhe trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli, i cili në një intervistë për “Panorama Sport”, deklaroi se skuadra e tij do të kërkojë t’i shkojë deri në fund Kupës së Shqipërisë, ashtu siç bëri në edicionin e kaluar.

Memelli

Migen, a mund të themi se Skënderbeu është i avantazhuar në këtë ndeshje kthimi?

Jo, sepse do të jetë një takim kthimi, ku rezultati i ndeshjes së parë nuk është aspak përcaktues, duke qenë se goli në fushën kundërshtare nuk vlen më. Prandaj, ai barazim i parë 1-1 nuk përbën asnjë lloj avantazhi apo garancie për ne.

Gjithsesi, duhet të fitoni patjetër për kualifikimin, në mënyrë që të shmangni shtesat…

Është një ndeshje që duhet ta fitojmë edhe për pjesën e moralit të skuadrës, për të vijuar me rezultate pozitive. Duam që përmes këtij takimi t’i japim edhe një frymëmarrje ekipit dhe të kalojmë në turin tjetër, që normalisht do të jetë më i vështirë se ky i tanishmi.

Skënderbeu është i interesuar për të shkuar deri në fund në Kupë apo këtë sezon primar mbetet kampionati?

Patjetër, çdo ndeshje për ne është e rëndësishme dhe primare, si në Kupë edhe në kampionat. Për këtë, lojtarët janë të vetëdijshëm dhe e kanë të qartë tashmë se çfarë u kërkohet të bëjnë. Ne jemi të bindur se nëse gjërat do t’i bëjmë mirë edhe në vijim, e ardhmja është pozitive, si për ne si staf, ashtu edhe për skuadrën.

A e ka forcën e duhur skuadra që t’i përballojë mirë të dyja kompeticionet?

Pa diskutim që po, e kemi forcën e nevojshme. Të mos harrojmë se edhe vjet që nuk e kishim këtë kontigjent lojtarësh që kemi aktualisht, e përballuam mjaft mirë, duke shkuar deri në finale. Sot që po flasim jemi në një pikë kur gjërat duhet t’i bëjmë mirë, për të kaluar në raundin tjetër, por kemi përpara edhe një merkato. Në këtë mënyrë mund të riparojmë ndonjë mangësi të vogël që kemi evidentuar në këtë pjesë të parë të sezonit. Gjithsesi, koha për të bërë mirë dhe për të kaluar këtë tur është e mjaftueshme.

Finalja e Kupës është objektivi juaj?

Varet, nëse do të kemi edhe pak fat në krahun tonë, pse jo të mos e tentojmë. Këtë vit është më e lehtë se një sezon më parë. Në edicionin e kaluar ishte vetëm një ndeshje, ndërsa tani është formati i rregullt i Kupës, që nëse gabon tek e para, mund të rikuperosh te ndeshja e kthimit.

SKE

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"