Mema qëndron te Tirana, por ja “kushti” i vendosur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2018 | 22:41

Mema qëndron te Tirana, por ja “kushti” i vendosur

Tirana është për mbijetesë. Momentalisht nuk mund të llogarisim asnjë gjë. Klasifikimi e tregon. Kur pësojmë 2 gola të tillë, as vetë nuk e di çfarë të them. Mendoj se mund të jetë ndeshja ime e fundit kjo. Do flas me drejtuesit, do diskutojmë për këtë gjendje”, kështu deklaroi Ardian Mema fill pas humbjes në Gjirokastër.

ardian mema

Por duket se këtë reagim të trajnerit nuk e kanë marrë shumë në konsideratë drejtuesit. Ata e kanë bindur që të mos nxitohet dhe kështu ka ndodhur. Mema do të qëndrojë. Kjo është pak, por e sigurt. Ecuria që kryeqytetasit kanë prej javësh dhe fundosja në renditje kanë bërë që edhe trajneri t’i vendosë “kushte” vetes.

Ai pret reagimin e ekipit dhe shpreson që kjo të ndodhë në 180 minutat e ardhshme. Dhe kalendari është “mizor”, pasi fillimisht do të presin Skënderbeun në “Selman Stërmasi” dhe më pas vjen derbi. Kthesa kërkohet që ndaj korçarëve, e megjithatë vendimtar mbetet 90- minutëshi ndaj Partizanit. Plot 14 ndeshje radhazi pa fituar ndaj rivalit të përjetshëm kanë rënduar ndjeshëm situatën te 24 herë kampionët e vendit.

Mema

Ndaj, nëse “thyejnë” tersin që i përndjek që prej 7 shkurtit të 2014-ës, pa frikë mund të themi që jo vetëm do i jepnin një shkelm krizës, por edhe gjendja psikologjike do të përmirësohej.

Nëse ndodh e kundërta, vështirësi se edhe vetë Mema do pranojë që ta vazhdojë më këtë aventurë. Gjithsesi, pauza e kampionatit duket se u vjen në momentin e duhur bardhebluve. Dy javë mund të shërbejnë jo vetëm për të riparuar defektet e hasura, por edhe për refleksion. Nëse dy sezone më parë, kur ranë nga kategoria, nisën që humbnin terren vetëm pas janarit, tashmë kanë luksin që të marrin më shpejt situatën nën kontroll dhe të shmangin sërish dramën.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"