“Mema nuk ikën, ka besimin tim”, Halili: Te Tirana trajnerët gabojnë kur thonë se…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2019 | 23:45

“Mema nuk ikën, ka besimin tim”, Halili: Te Tirana trajnerët gabojnë kur thonë se…

Refik Halili konfirmon për momentin Ardian Memën. Presidenti i bardhebluve bëri dje me dije se pret që skuadra të reagojë. Ai ishte i pranishëm dje në seancën stërvitore të ekipit, për të parë nga afër skuadrën, ku zhvilloi edhe një mbledhje me ta dhe teknikun Mema.

refik halili

Duke folur për mediat, presidenti Halili u shpreh se i ka dhënë besim Ardian Memës dhe pret që skuadra të bëjë kthesën në ndeshjet e radhës. Halili e tha qartë se skuadra është e Memës dhe katër lojtarë i ka sjellë ai në ekip. Nëse Mema e ndien veten nën presion, atëherë le të largohet, pasi te Tirana gjithmonë do të jetë kështu…

Një vizitë blic për të shkundur ekipin pas rezultateve negative në ekip dhe për çështjen e trajnerit?

Unë vij zakonisht në skuadër, herë-herë kur ka ndonjë ndeshje të rëndësishme, apo kur kemi pësuar ndonjë humbje. Nga ato lloj humbjesh që nuk i falet skuadrës. Në të njëjtin plan është edhe takimi me Flamurtarin. Kuptohet që kemi humbur tri ndeshje radhazi, pasi edhe barazimin në Vlorë e quaj humbje. Për këtë doja të vija këtu. të flisnim me skuadrën. Takimin mund ta bëja edhe vend tjetër, por më pëlqen të vij këtu në stërvitje.

Pas dy humbjeve dhe barazimit me skuadrën e fundit, trajneri e ka besimin tuaj për të ardhmen, flasim për vazhdimësinë e kampionatit?

Trajneri Mema e ka besimin tim. Skuadrën pak a shumë e ka bërë bashkë me stafin. Ama duhet të them se 3-4 lojtarë i ka zgjedhur ai vetë. Ka besimin për ta drejtuar skuadrën. Ju e dini që Tirana është një klub shumë i madh. Presioni është shumë i madh. Të gjithë e dinë se çfarë nuk i bën mirë skuadrës. Të gjithë e kuptojnë se janë të rritur. Bëra këtë takim. U thashë atë që kisha për të thënë. Pa i futur nën presion. Dihet që jam tolerant. Shpresoj që të bëjnë kthesën.

halili mema

Presioni është shumë i madh te Tirana. Ka një lloj ultimatumi për trajnerin Mema?

Publikisht unë nuk e kam thënë në asnjë vend këtë. Ama Mema dhe ata që punojnë me Tiranën, duhet të kuptojnë. Tirana është gjithmonë nën presion. Edhe kur fiton 3-0, të thonë që pse nuk fitove 4-0. Nëse Mema thotë që ka presion, e ka gabim. Nuk ka presion nga ne. Mema është mësuar me këtë lloj presioni, ka qenë lojtar dhe është mësuar me këtë lloj presioni.

Ju flisni për besim, por deri kur do ta ketë Mema besimin tuaj. Apo besimi është i pakufizuar?

Nuk mund të themi deri te kjo ndeshje apo ajo ndeshje. Besimi vazhdon. E ka besimin tim, sepse është një skuadër që ka një kontingjent lojtarësh të mirë. Mema e ka ndërtuar vetë një pjesë të mirë të ekipit, kështu që le ta vazhdojë punën. Shpresojmë që të ketë sukses në ditët e ardhshme.

Keni pritur një dorëheqje të trajnerit dhe a keni menduar një alternativë për zëvendësimin e tij? Njeriu është i lirë të bëjë çdo gjë. Kushdo që të japë dorëheqjen, nuk e përballon dot punën, apo nuk e përballon presionin, mund të bëjë zgjedhjen e tij. Nisim bisedimet dhe ia pranojmë dorëheqjen, kushdo qoftë.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"