Mema ka gati surprizën ndaj Flamurtarit, Hasani piketohet në majën e sulmit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2018 | 19:51

Mema ka gati surprizën ndaj Flamurtarit, Hasani piketohet në majën e sulmit

Edon Hasani mund të jetë surpriza e Ardian Memës në Vlorë. Mesfushori i Tiranës pritet të kthehet e të luajë titullar. Por, ndryshe nga herët e tjera, shkodrani do të luajë në sulm. Edhe pse u mendua që Majkëll Ngoja mund të luante titullar, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Gjithsesi, deri ditën e ndeshjes, gjithçka do të jetë qartësuar, por me shkodranin që me shumë mundësi luan nga minuta e parë. Për sa i përket pjesës tjetër të formacionit, Ilion Lika do të luajë në portë.

Edon Hasani

Mbrojtja do të përbëhet nga Doka, Turtulli, Hoxhallari e Imami. Mesfusha do të jetë e kontrolluar nga triada Maveje-Karabeci e Daja. Nga krahët do të luajnë Kobina djathtas dhe Greca majtas, ndërkohë që në sulm do të jetë Hasani. Sigurisht mund të ketë edhe një balotazh me Ngonë, por shkodrani mbetet i favorizuar.

SHQETËSON TURTULLI

Te Tirana vazhdojnë mungesat në formacion. Kështu, dje nuk janë stërvitur me ekipin tre lojtarë. Bëhet fjalë për Dorian Kërçikun, i cili ka një problem në pulpë, Dejan Blazhevskin, i cili po riaftësohet në Shkup pas tërheqjes në kofshë dhe Namdi Oduamadin, i cili ka thyer klavikulën dhe do të operohet dhe pritet të kthehet në janar.

tirana

Problemi më i madh mbetet në këtë moment Marvin Turtulli. Mbrojtësi është stërvitur dje në pjesën më të madhe të seancës, por më pas ka braktisur fushën e lojës.

Futbollisti ka ndier dhimbje në kofshë. Për të ka një problem dhe kjo e rrezikon formën e futbollistit bardheblu, i cili i ka luajtur të gjitha sfidat me Tiranën këtë sezon. Gjithsesi, mjekët do të presin deri sekondën e fundit. Ndeshja luhet të hënën dhe me të gjitha gjasat mbrojtësi do t’ia dalë të jetë në fushën e lojës. Në të kundërt, për Tiranën mungesa e Turtullit do të ishte humbje e madhe.

Tirana

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"