Meksika zbut Kroacinë dhe “kërcënon” Holandën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2014 | 23:45

Meksika zbut Kroacinë dhe “kërcënon” Holandën

MeksikaKROACI-MEKSIKA 1-3
GOLI: Perisiç 87′ / Markuez 72′, Guardado 75′, Hernandez 82′
KROACI (4-2-3-1): Pletikosa; Vrsaljko (Kovaçic 58′) , Korluka, Lovren, Pranjiç (Jelaviç 74′), Modriç, Rakitiç, Srna, Oliç (Rebiç 69′), Perisiç, Manxukiç. Trajner: Niko Kovaç
MEKSIKA (5-3-2): Oçoa, Aguilar, Rodríguez, Markuez, Hektor Moreno, Laiun, Herrera, Vazkuez, Guardado (fabian 84′), Dos Santos (Hernandez 62′), Peralta (Pena 79′). Trajner: Migel Herrera
KARTONË TË VERDHË: Rakitiç 9′ / Markuez 39′, Vaskuez 66′
I KUQ: Rebiç 89′
GJYQTAR: Ravshan Irmatov (Uzb)

Golat e Markuezit, Guardados dhe Hernandezit janë vula më e bukur e mbrëmjes botërore meksikane. Kapiteni është ai që zhbllokon rezultatin, dyfishon majtoshi, edhe ai me më shumë se 100 takime me kombëtaren, ndërsa për të përmbyllur tripletën mendon Çikarito, lojtari më i njohur ndërkombëtarisht. “Trengjyrëshi” mund Kroacinë me rezultatin 3-1, duke kaluar në 1/8-at e Kupës së Botës, ku kundër do të ketë Holandën. Për amerikanoveriorët, përballja ka qenë shumë e mirë, ndërsa stonimi i vetëm në mbrëmjen e djeshme ishte goli i pësuar në fund të takimit nga ballkanasit me autor Perisiçin. Gardiani Oçoa u mposht pas 267 minutash.
Çelësi – Meksika futet në fushë për herë të tretë me të njëjtën skuadër, ndërsa nga ana tjetër Kroacia ndryshon sërish dhe këtë herë madje edhe modulin, duke kaluar nga 4-2-3-1 në 4-3-3. Trajneri Kovaç në dispozicion këtë herë ka më shumë cilësi, ndonëse heq dorë nga trekuartistët, duke dërguar në stol si Kovaçiçin ashtu edhe Samirin. Ai aktivizon një lojtar krahu më shumë, Vrsaljkon. Pranjç zhvendoset në mesfushë, jashtë rolit të tij. E për këtë arsye Modriç nuk jep më të mirën e tij, ndërsa Rakitiç, i sapo blerë nga Barça, përpara mbrojtjes bie në sy për një faull të keq të bërë ndaj Vaskuezit, që i kushton atij një karton të verdhë. Pasimet e mençura ndaj Perisiçit (më aktivi) dhe Oliçit mungojnë, ndërsa Manxukiçi është apatik. Trajneri i meksikanëve, Miguel Herrera, ka krijuar një mekanizëm perfekt, në të cilin çdokush e di se çfarë duhet të bëjë dhe vlera e individualiteteve rritet. Kështu Hektor Herrera, që te Porto më shumë ka ndenjur në stol, nga krahët bën ligjin, madje godet njëherë traversën, pas pasimit me thembër të Peraltas (16′). Gjithashtu, jep dhe një asist të mrekullueshëm te qendërsulmuesi që gjuan keq.
Goleada – Duke qenë se sulmi është shterpë, trajneri Kovaç provon që të ndryshojë letrat në tavolinë, duke futur në lojë Kovaçiçin dhe pastaj Rebiçin. Mirëpo, ballkanasit bëhen edhe më të turbullt dhe Meksika vërshon në gjysmëfushën e tyre, në fillim duke kërkuar me zë të lartë një penallti (Srna prek topin me dorë në gjuajtjen e Hernandezit) dhe më pas rezultati zhbllokohet, me një goditje me kokë të Markuezit (72′). Megjithatë, gardiani Pletikosa mund të kishte bërë më mirë në këtë rast. “Trengjyrëshi” dirigjon lojën dhe dyfishon rezultatin me një të majtë të fortë të Guardados, që pasimin ia jep Peralta (75′). Ballkanasit përgjigjen me Rebiçin, por Moreno arrin ta largojë topin atëherë kur duhet nga porta, ndërkohë që Hernandez gjen golin e parë të Botërorit, pas një goditjeje këndi 8 minuta nga fundi i lojës. Në fund vjen edhe goli i nderit për Kroacinë. Rakitiç jep një asist të mrekullueshëm me thembër për Perisiçin, i cili e dërgon në rrjetë. Por, tashmë është shumë vonë. Kohë ka vetëm për pezullimin nga loja të Rebiçit, që zëvendësoi Oliçin. Kështu përfundon aventura e Kroacisë në Kupën e Botës, ndërsa Meksika ëndërron.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"