Mëkat me Mërgjyshin, Laçi largoi një trajner rekordmen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 1, 2018 | 13:43

Mëkat me Mërgjyshin, Laçi largoi një trajner rekordmen

Dy humbjet e vetme i kushtuan shkarkimin Artan Mërgjyshit. Edhe pse nën drejtimin e tij, Laçi fitoi statusin e të pathyeshmes për 8 javët e para, duke u listuar ndër pretendentet kryesore për zonën “Euro”, por edhe për kreun e renditjes, drejtuesve iu sos durimi dhe e larguan.

mergjyshi

Një vendim ndoshta i nxituar, sidomos kur dihet që trajneri e la skuadrën në vendin e 4-t në klasifikim, me vetëm 3 pikë larg Kukësit që është i 3-ti. Klubi i ka hyrë jo pak në hak 50- vjeçarit, pasi 16 pikë në 10 ndeshje radhazi, kurbinasit kishin vite që nuk i shihnin me sy. Një bilanc mbresëlënës, që të bën të mendosh se ndaj tij u bë realisht… mëkat. I fundit trajner që ka pasur ecuri identike me Artan Mërgjyshin, është Armando Cungu.

Plot 5 vite më parë, konkretisht në sezonin 2014-2015, shkodrani kishte siguruar 4 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje. Ai kishte golavarazh disi më të mirë se aktualisht, pasi pësonin 7 gola (1 më pak se aktualisht) dhe shënonin 12 (4 më pak se aktualisht).

mergjyshi

Edicionet e tjera, nga 2015-ta e deri në 2018- ën, duhet thënë se te bardhezinjtë nuk kanë rezistuar dot me një trajner të vetëm. Më konkretisht në 2015-2016 e niste Ramadan Ndreu dhe pas vetëm dy javësh (2 barazime) largohej për t’i lënë vendin Armando Cungut, i cili në javën e 10-të pati mbledhur 11 pikë (me golavarazh 11-13).

Sezoni pasues 2016-2017 u startua me Marselo Troisin dhe u vazhdua me Ramadan Ndreun. Braziliani u largua pas vetëm 4 javësh, pasi kishte sigluar 3 barazime dhe humbur një tjetër. Pas 10 ndeshjesh, kishin mbledhur 14 pikë në total dhe golavarazh (5-9). Kampionati i kaluar 2017-2019 pati të njëjtën histori.

Laci

Në “timon” për 3 javë qëndroi Stavri Nica (1 fitore dhe dy humbje) dhe iku për t’i lënë vendin Gentian Mezanit që deri në javën e 10-të grumbulloi 14 pikë (me golavarazh prej 11 golash të shënuar dhe 9 të pësuar).

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"