Mehmeti lë pas dëmtimin: Kastrioti kthehet më i fortë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2022 | 11:30

Mehmeti lë pas dëmtimin: Kastrioti kthehet më i fortë

Nga dita e hënë skuadra krutane u është rikthyer seancave stërvitore. Në seancën e parë ka qenë e pranishme e gjithë skuadra. Periudha e kësaj faze, siç shprehen drejtuesit e kësaj skuadre, do t’u nënshtrohen përgatitjeve fiziko-taktike.

Xhuljo-Mehmeti-

Gjatë ditëve pushim, gjendja e futbollistëve dukej e mirë. Një pjesë e futbollistëve, për të ruajtur parametrat fizikë, kanë zhvilluar stërvitje individuale. Një lajm pozitiv për drejtuesit e skuadrës është rikthimi i mesfushorit, Xhuljo Mehmeti.

Mesfushori, që më parë ka veshur bluzat e Kamzës dhe Erzenit, i mungonte skuadrës qysh në ndeshjen ndaj Teutës, në muajin e kaluar, fituar nga krutanët me rezultatin 2-1.

“Rikthehem pas pesë ndeshjesh mungesë. Pësova një dëmtim dhe tani ndihem mjaft mirë dhe i gatshëm për të qenë në shërbim të skuadrës”, shprehet shkurt për gazetën “Panorama Sport”, mesfushori krutan, Xhuljo Mehmeti.

Gjatë shtatë javëve të para të kampionatit, mesfushori Mehmeti ka pasur një paraqitje konstante. Të vetmin gol të shënuar deri më tani në këtë kampionat, atë kundër Kukësit në minutën e fundit në transfertë, rezultoi pozitive për skuadrën, duke marrë një trepikësh me vlerë, aq më tepër ndaj rivalit direkt.

Në vijim të prononcimit të tij, 28-vjeçari, bën skanerin e skuadrës së tij, ku mes të tjerash shprehet: “Skuadra ka zhvilluar ndeshje mjaft të mira. Është për të ardhur keq, që skuadra, pavarësisht lojërave me nivel që ka zhvilluar, është ndëshkuar në fund. Ndeshjet ndaj Erzenit në transfertë dhe ajo me Kukësin në fushën tonë kishim shanse të arta për t’i fituar, por fati në dy takimet nuk ishte me skuadrën tonë”, ka vazhduar më tej ai.

Mesfushori Mehmeti, që në këtë sezon është rikthyer pas një viti mungesë në radhët e skuadrës krutane, është optimist për ecurinë e skuadrës në kampionatin që do të rinisë në muajin e ardhshëm.

“Grupi i skuadrës është mjaft i mirë. Me pak kujdes skuadra duhet të ishte pozicionuar më mirë në renditje. Jam optimist se skuadra do ta thotë mirë fjalën e tij në vazhdim të kampionatit, duke filluar qysh në ndeshjen ndaj Tiranës, që do të luhet në transfertë”, shprehet në fund të komentit të tij, Xhuljo Mehmeti.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"