Medota të reja për të ringjallur Piontekun, Pioli urdhëron: Të gjithë në shërbim të polakut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 22:36

Medota të reja për të ringjallur Piontekun, Pioli urdhëron: Të gjithë në shërbim të polakut

Milani ka mirëpritur 12 futbollistë që janë rikthyer nga kombëtaret respektive, diçka mjaft pozitive, pasi në këtë mënyrë, nga dita e djeshme e deri të dielën në mbrëmje, grupi nën urdhrat e Stefano Piolit do të ketë 4 ditë të plota në dispozicion për të përgatitur duelin kundër Leçes në stadiumin “San Siro”.

pioli1-e1571191030323

Puna e trajnerit të ri për të ringjallur kuqezinjtë ka hyrë në pjesën më të rëndësishme, me Piolin që ka zeruar gjithçka ishte punuar deri pak ditë më parë me të shkarkuarin Marko Xhampaolo dhe duke vënë në zbatim një metodë të re pune. Idetë e 53-vjeçarit janë të bazuara në më pak punë me skemat taktike, të cilat janë zëvendësuar me më shumë teste atletike, për të rritur intensitetin dhe ritmin e lojës.

Për më shumë, Stefano Pioli ka vendosur që të vishet gjatë gjithë kohës edhe në rolin e psikologut me futbollistët, në mënyrë që t’i çlirojë nga nervozizmi, por edhe nga pesimizmi që i kishte kapluar, pas 7 daljeve të para aspak pozitive në kampionat.

Strategu i ri i zgjedhur nga drejtuesit kuqezinj shpreson që të rrisë sa më shumë vetëbesimin te grupi, një aspekt që vlen shumë herë më shumë se çdo shpikje taktike, e cila mund të të bëjë të fitosh një ndeshje, por kurrsesi që të hapësh një seri rezultatesh pozitive.

Sigurisht që kjo nuk do të thotë se Pioli nuk punon aspak mbi modulin, i cili do të jetë 4-3-3 dhe disa lëvizje mbi të cilat lojtarët e Milanit duhet të punojnë, por detyra kryesore është mbi të gjitha të ringjallë futbollistë si Paketa, që kanë cilësi të rëndësishme, apo edhe t’i gjejë vendin e duhur Bilias në fushë.

Piatek Milani

Pikërisht braziliani dhe argjentinasi janë dy njerëzit që pritet të formojnë shtyllën kurrizore të Milanit të ri, të cilëve do t’u bashkëngjitet me shumë mundësi edhe Benaser.

Por nëse Xhampaolo e shihte këtë të fundit si organizatorin përpara mbrojtjes, me Piolin algjeriani pritet të luajë në të djathtë të mesfushës, duke spostuar ndoshta në stol një titullar të padiskutueshëm të dy sezoneve të fundit si Frank Kesi. Detyra e re e mesfushës është që të punojë sa më shumë vertikalisht, sa më shumë topa të shpërndarë në mënyrë të shpejtë në drejtim të Piontekut.

Pioli Maldini

Madje, ky është urdhri i ri i Piolit: “Të gjithë në shërbim të Piontekut”, sepse polaku ka treguar që golat di t’i realizojë, por ajo që mungoi edhe me Xhampaolon ishte se Paketa u shndërrua në rezervë, Benaser markohet shpesh në qendër të mesfushës, ndërsa Kesi dhe Suso bënin shumë pak për të rrezikuar zonën rivale.

Milani

Prandaj, trajneri i ri i Milanit ka vendosur që t’i japë një bluzë titullari Leaos, i cili ka treguar se jo vetëm që garanton një dorë të lartë teknike, por di të jetë edhe i paparashikueshëm dhe spektakolar, si në rastin e golit personal ndaj Fiorentinës. Shkurt, indiciet janë dhënë dhe kanë nisur të punohen. Tani do i takojë Piolit dhe djemve të tij që të tregojnë se Milani është rikthyer në rrugën e duhur…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"