Medalje dhe rekorde, viti i artë i Luiza Gegës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2022 | 15:12

Medalje dhe rekorde, viti i artë i Luiza Gegës

Për vite me radhë, Luiza Gega vijon të tregojë një nivel fantastik, duke qenë absolutisht atletja më e mirë e vendit, e vetmja që arrin të jetë brenda standardeve europiane dhe botërore, duke mos pasur nevojë asnjëherë që të presë ftesa për të aderuar në eventet madhore ndërkombëtare të atletikës. Një mori me medalje dhe rekorde nga 33- vjeçarja, e cila ka shkruar historinë e këtij sporti për Shqipërinë, si e para që futet në finalet e një Botërori apo të Lojërave Olimpike. Suksesi më i fundit erdhi nga Lojërat Mesdhetare, me Luizën që dominoi totalisht në garën e 3000 metrave me pengesa, duke vendosur rekord të ri kombëtar dhe mesdhetar. Rezultat që nuk ka ardhur në mënyrë rastësore, pasi paraqitjet e Gegës kanë qenë gjithnjë e në ngritje dhe po kulmojnë gjatë këtij viti, në një sezon vërtet të artë për kampionen tonë. 13 gara, në të cilat ka vendosur plot 6 rekorde të reja kombëtare, janë treguesi më i mirë i një 2022- shi të jashtëzakonshëm për Luizën. Por le t’i hedhim një vështrim sezonit të deritanishëm të kampiones kuqezi, që në arenën kombëtare përfaqëson Tiranën.

WhatsApp Image 2022-07-13 at 3.07.18 PM (1)

SEZONI DIMËROR

Luiza Gega e nisi vitin me garën e parë në Mançester, teksa më 22 janar fitoi medalje argjendi në 3000 metra në “UK World Silver Indoor Tour”, duke regjistruar kohën 8:47:53, rezultat brenda normës kualifikuese për Botërorin. Më pas, më 4 shkurt, ishte radha për “World Silver Indoor Tour” në Miramas të Francës, aty ku Gega regjistroi kohën 8:50:08 në 3000 metra, duke fituar medaljen e arit. Rezultat që ishte rekord për eventin francez, ndërsa atletja jonë gjithashtu u shpall edhe më e mira e të gjithë kompeticionit, në të cilin garonin sportistë elitarë dhe medalistë olimpikë. Aktivitetet për kampionen tonë do të vijonin me Kampionatin Ballkanik, që u mbajt më 5 mars në Stamboll. Një event ku Gega realizoi dy gara brenda 50 minutave, ku në 3000 metra mori medalje të artë me kohën 9:15:11, ndërsa në 1500 metra fitoi medalje argjendi me kohën 4:13:25. Ky event do ta bënte atleten tonë si sportisten më të suksesshme në historinë e Kampionatit Ballkanik të sallave të mbyllura, me plot 8 medalje ari të fituara në këtë kompeticion. Më pas, më 19 mars, ishte radha për Kampionatin Botëror që u mbajt në Beograd, ku Luiza shkonte me normë si e vetmja përfaqësuese e Shqipërisë në këtë event. Me kohën 8:52:97, ajo u rendit e 13-ta në finale.

WhatsApp Image 2022-07-13 at 3.07.18 PM

NË QIELL TË HAPUR

Gjysmëmaratona ballkanike që u mbajt në Tiranë më 10 prill ishte edhe gara e parë e vitit në qiell të hapur për Gegën. Ndonëse aktiviteti u zhvillua në kushte të vështira atmosferike, nën reshje të dendura shiu, Gega u konfirmua si kampione absolute në rajon, teksa u shpall kampione me diferencë të madhe nga rivalet, duke regjistruar kohën 1:10:58, për të vendosur rekord të ri kombëtar në këtë disiplinë. Me paraqitjen super në gjysmëmaratonë, Gega do të hapte edhe serinë e rekordeve, që më pas do të vinin me “breshëri”, duke vijuar me Kupën e Republikës më 10 maj në Shkodër. Gega garoi në 5000 metra dhe shënoi kohën 15:22:18, duke vendosur një tjetër rekord kombëtar. Rekordi i radhës erdhi në Kampionatin Kombëtar, me Luizën që stampoi kohën 8:46:61 në garën e 3000 metrave. Më pjesëmarrjen në “World Contintal Silver Tour” më 3 qershor në Mançester, Gega çel garat ndërkombëtare në një muaj shumë të ngjeshur. Ajo regjistron kohën 9:20:79 në 3000 metra me pengesa, duke fituar medalje ari për të vendosur rekord mitingu, duke shënuar gjithashtu edhe kohën më të mirë të sezonit europian deri në atë moment. Tri ditë më vonë, në “World Contintal Gold Tour” në Hengelo të Holandës, Gega do të vuloste kohën 9:15:48, duke fituar medalje argjendi, për të vendosur rekord kombëtar në 3000 mera me pengesa, në një garë ku dhuroi spektakël mes rivaleve keniane dhe etiopiane. Më pas, më 18 dhe 19 qershor, ishte radha për Kampionatin Ballkanik në Kraiovë të Rumanisë. Fillimisht në 3000 metra me pengesa, Gega shënoi kohën 9:17:89, duke fituar medalje ari dhe duke vendosur rekord për kompeticionin. Më pas, në 5000 metra, paraqitja do të ishte edhe më fantastike, teksa kampionia kuqezi regjistroi rezultatin 15:16:47, duke marrë një tjetër medalje ari, duke thyer gjithashtu rekordin e kampionatit ballkanik dhe atë kombëtar. Gara e fundit e Gegës ishte vetëm disa ditë më parë në Lojërat Mesdhetare “Oran 2022”.

Me një paraqitje prej jashtëtokësoreje, Luiza mori medaljen e artë në 3000 metra me pengesa, duke vulosur kohën 9:14:29, për t’u konfirmuar për herë të dytë radhazi kampione mesdheu. Ky rezultat ishte gjithashtu edhe rekord i Lojërave Mesdhetare, si dhe rekord kombëtar, me Luizën që tejkaloi sërish veten e saj. E tashmë do të jetë radha për evente akoma më të rëndësishme, duke nisur që nga kjo fundjavë me Kampionatin Botëror në SHBA, për të vijuar me Europianin, aty ku kampionia kuqezi do të kërkojë të shkruajë të tjera faqe të lavdishme në historinë e atletikës shqiptare.

REZULTATET E LUIZA GEGËS:

9089089089

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"