Medalje ari me sakrifica, Begaj: Ia dola e dëmtuar! Dita më e lumtur, bëra krenarë gjithë shqiptarët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 19:31

Medalje ari me sakrifica, Begaj: Ia dola e dëmtuar! Dita më e lumtur, bëra krenarë gjithë shqiptarët

Romela Begaj mori medalje të artë e dëmtuar. Pakkush e dinte se peshëngritësja që bëri krenar çdo shqiptar kishte probleme fizike para garës që zhvilloi dhe ato u rënduan akoma më shumë pas garës. Kjo e ka detyruar Begajn që të udhëtonte menjëherë drejt Greqisë dhe të mund të merrte kurimin e duhur.

“Ishte një arritje e madhe për gjithë shqiptarët, – thotë begaj për ‘Panorama Sport’. – Kam marrë mesazhe pa fund dhe i falënderoj të gjithë”, deklaron Begaj nga Greqia.

romela begaj

Romela, ç’ndjesi patët pas triumfit në SHBA?

Ishte një gëzim i madh. Jam e lumtur që munda të bëj krenarë gjithë shqiptarët. Ishte një arritje historike për Shqipërinë dhe realisht kam sakrifikuar shumë që të mund t’ia dilja mbanë.

Sa mesazhe morët pas suksesit që arritët?

Pa fund. Vërtetë shumë. I falënderoj të gjithë.

Cilët ju bënë më shumë përshtypje nga mesazhet që morët?

Natyrisht mora mesazhe urimi edhe nga drejtuesit më të lartë të vendit. Falënderoj z.Kryeministër, Edi Ramën, Z.President, Ilir Metën, Kryetarin e Bashkisë, Erjon Veliaj, Z.Basha, Znj.Ministre të Sportit, Lindita Nikolli, dhe Drejtorin e Sportit, Vladimir Gjoni. Falënderoj pa masë edhe të gjithë dashamirësit e sportit.

Pse u rrëzuat përtokë pas tentativës së fundit?

U rrëzova sepse u ndieva keq nga dëmtimi që pësova gjatë garës.

flamuri shqiptar romela begaj

Çfarë problemi kishit?

Shikoni, unë kam pasur nisjen për në USA dhe kthimin në Greqi sepse më duhej të kurohesha. Kjo ndodhi për shkak të dëmtimeve që pësova në garë dhe kam qenë e dëmtuar edhe para garës.

Pas kësaj arritjeje historike, a keni ndonjë objektiv tjetër në aspektin personal?

Pa dyshim që po. Pas disa muajsh do të zhvillohet në Tiranë Europiani për të Rritur dhe unë dua të dal sa më mirë aty. Zhvillohet në vendin tonë dhe pa dyshim që përpjekjet do të jenë maksimale nga ana ime që të mund të bëj sërish krenar shqiptarët.

A të erdhi keq për flamurin tonë që ishte jashtë standardit në krahasim me flamujt e tjerë dhe për më tepër, shqiponja ishte e transformuar?

Si u ndiet kur e patë në atë gjendje? Patjetër që u ndieva shumë keq kur pashë atë transformim, por nuk e di se kush mund të ketë përgjegjësinë për këtë që ndodhi.

Çfarë prisni nga federata dhe nga shteti pas këtij suksesi?

Natyrisht që pres shumë mbështetje. Ne sakrifikojmë shumë për rezultate të tilla, ndaj do të donim pak më shumë vëmendje dhe mbështetje.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"