EKSKLUZIVE/ “Më vjen keq që nuk do të kem në krah Krymin dhe Adilin”, Gurishta: Pa frikë kundër Kraiovës!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2022 | 14:27

EKSKLUZIVE/ “Më vjen keq që nuk do të kem në krah Krymin dhe Adilin”, Gurishta: Pa frikë kundër Kraiovës!

Kapiteni i Vllaznisë, Erdenis Gurishta, beson se skuadra shkodrane ka shanse për të kaluar më tej në Ligën e Konferencës, edhe pse e di shumë mirë forcën e rumunëve të Universitatea Kraiovës. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i djathtë komentoi edhe zhvillimet e fundit te shkodranët në merkato, si në hyrje dhe dalje.

GURISHTA 2

Erdenis, janë bërë disa lëvizje te Vllaznia, teksa janë larguar titullarë si Krymi, Adili dhe Da Silva. Si i shikoni këto ndryshime dhe sa mund të ndikojnë në ekip?

Bëhet fjalë për disa lojtarë të rëndësishëm dhe me kontribut të madh vitet e fundit te Vllaznia, të cilët tashmë janë larguar. Megjithatë, çdo fillim e ka një fund dhe gjithsecilit i uroj suksese. Klubi po punon që ata lojtarë që u larguan të zëvendësohen. Ky është një cikël dhe një proces, kështu që për këtë duhet që të gjithë të jemi të vetëdijshëm. E rëndësishme është që të shikohet përpara. Më vjen keq që nuk kam në krah Krymin apo Adilin, por ne sot jemi në profesionalizëm dhe largime të tilla sigurisht që janë normale.

Janë afruar 5 lojtarë, ku dy prej tyre janë rikthime…

Janë afruar disa lojtarë, normalisht me shumë cilësi dhe vlera, në skuadrat e tyre ku ishin, por besoj që këto t’i shfaqin edhe në ekipin tonë. Shpresoj të ambientohen shpejt dhe të tregojnë vlerat e tyre.

Do të luani me Universitatea Kraiovën në turin e dytë të Ligës së Konferencës. Si i shikoni shanset ndaj rumunëve?

E nisim në raundin e dytë dhe pa diskutim që rritet shkalla e vështirësisë. Do të analizojmë kundërshtarin dhe do të tentojmë me mundësitë tona kualifikimin.

GURISHTA 3

Sa e njihni kundërshtarin?

Normalisht që nuk e njohim shumë, por kemi nisur ta studiojmë. Ne do të kërkojmë që të mësojmë gjithçka për të dhe të marrim masat e duhura për ta kaluar me sukses.

Laçi e ka eliminuar këtë skuadër, a do të kërkojë të bëjë të njëjtën gjë edhe Vllaznia?

Në krahasim me vitin e kaluar, rumunët janë forcuar më tepër. Është një skuadër me buxhet shumë të lartë. Ka më shumë se 5 lojtarë të kombëtares rumune, por gjithsesi kjo nuk do të thotë që kemi frikë dhe të jemi inferiorë ndaj kësaj skuadre. Përkundrazi, kjo na motivon më tepër të japim maksimumin, sepse në shumë raste dëshira për të fituar dhe shpirti i garës është më i rëndësishëm se ana financiare apo emrat që skuadra ka brenda saj. Prandaj edhe ne besojmë për më të mirën në përballjet me rumunët.

Pas dy kupave të fituara radhazi, është momenti që Vllaznia të shkojë te titulli më në fund?

Është herët për të folur, por presim edhe afrimin e disa lojtarëve që kemi nevojë dhe shpresoj që grupi të konsolidohet sa më shpejt. Kjo do të na bëjë që të luftojmë për objektivat madhorë që ne kemi.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"