“Më vjen keq, por dua ta sfidoj Vllazninë”, Hebaj: Nuk festoj nëse shënoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 10, 2020 | 17:14

“Më vjen keq, por dua ta sfidoj Vllazninë”, Hebaj: Nuk festoj nëse shënoj

Sulmuesi i Teutës, Rubin Hebaj, ka dalë nga akademia e Vllaznisë. Ai është rritur në Shkodër, ka kontribuuar për ngjyrat kuqeblu, por nesër kthehet në shtëpi si kundërshtar si pjesë e Teutës. Shkodrani po luan sezonin e parë me “djemtë e detit” ku synon të fitojë Kupën e Shqipërisë, por si fillim duhet të kalojë skuadrën e vendlindjes. Hebaj në prononcimin e tij për “Panorama Sport” tregon se është profesionist dhe se ekipi i tij do të luajë ndaj Vllaznisë për të siguruar kualifikimin, pavarësisht se i vjen keq për pozitat që ka Vllaznia në tabelën e klasifikimit.
rubin hebaj

Pas humbjes me Bylisin në kampionat, nesër luani çerekfinalen e parë të Kupës ndaj Vllaznisë. Si paraqitet gjendja te Teuta?
Gjendja e skuadrës është e mirë. Kemi një grup të mirë me lojtarë me eksperiencë, që na motivojnë vazhdimisht. Jemi 100% të motivuar dhe do të japim maksimumin tonë, ndaj besoj se do të marrin një rezultat pozitiv në Shkodër. Në këtë sfidë më e rëndësishme është fitorja sesa aspekti personal. Golat apo asistet ndikojnë mirë për mua dhe ekipin, por fillimisht mendojmë të marrim maksimumin si ekip.

Çfarë prisni të përmirësoni nga ndeshja me Bylisin?
Ekipi i ka mundësitë që nga ndeshja në ndeshje të rrisë paraqitjen. Kemi lojtarë cilësorë dhe që duan me patjetër të bëjnë sukses, sidomos për t’i dhënë kënaqësi atij qyteti që e do ekipin dhe kërkon të jenë gjithmonë të parët.

Çfarë prisni nga ndeshja me Vllazninë?
Do të jetë një ndeshje e rëndësishme për ne dhe nuk duhet të humbasim. Pavarësisht dy rezultateve jo të mira në kampionat, ekipi gëzon një gjendje shumë të mirë psikologjike dhe jemi shumë të motivuar për ndeshjen kundër Vllaznisë në Kupë. Do japim maksimumin për të siguruar kualifikimin që në ndeshjen e parë. Më vjen keq, por Vllazninë dua ta sfidoj në këtë takim. Kupa është objektivi i Teutës, por në të njëjtën kohë edhe Vllaznia lufton e synon trofeun.

Sa të vështirë e bën ky fakt këtë duel?
Ky është një tjetër takim i vështirë. Pasi dihet tashmë edhe humbja që kemi marrë me Bylisin javën e kaluar. Një ndeshje e fortë, por ne kemi forca të përballojmë Vllazninë dhe të marrim një rezultat të mirë dhe të mos pësojmë gol. Jemi të bindur në forcën tonë dhe duhet ta shfrytëzojmë sa më shumë faktorin që luhet pa tifozë dhe të dalim me sukses. Pas dy rezultateve jo të mira në kampionat, e kemi të nevojshme kthesën në Kupë.
hebaj
Përballja me të shkuarën, jua shton nostalgjinë?
Çdo sfidë kundër Vllaznisë e kam si speciale. Të jesh rritur në akademinë e Vllaznisë dhe të vijë momenti që të luash kundër tyre është një ndjesi e veçantë. Mendoj se do jetë një ndeshje mjaft e bukur. Besoj se Vllaznia do të jetë një kundërshtar i fortë deri në fund, pasi i ka lojtarët për të qenë më lart se pozitat aktuale.

Do të donit që të shënonit në ketë përballje dhe a do të festoni?
Patjetër që dua të shënoj, edhe pse do të më vinte keq për Vllazninë. Unë luaj për Teutën dhe do të bëj më të mirën time për këtë skuadër. Sigurisht që nuk do të festoj po shënova, se kam shumë respekt për ekipin e qytetit tim.

Objektivi mbetet Europa, sa shanse ka Teuta që ta arrijë?
Unë mendoj se duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të japim maksimumin, duke mos menduar as për trofe dhe as për Europën. Fakti që luajmë mirë, na jep shpresa që e ardhmja do të jetë më e bukur, por gjithmonë duke besuar te forca e grupit.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"