“Me urdhër të kryetares dilni në stërvitje”, prapaskenat te Vllaznia dhe Jonuz që mediton largimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2020 | 12:02

“Me urdhër të kryetares dilni në stërvitje”, prapaskenat te Vllaznia dhe Jonuz që mediton largimin

“Me urdhër të kryetares duhet të paraqiteni në stërvitje në orën 17:00”. Është ky mesazhi që ka ardhur dje në telefonin e secilit futbollist. Mirëpo, pas bojkotit në seancën e së enjtes, lojtarët e Vllaznisë kanë bërë të njëjtën gjë edhe dje. “Panorama Sport” ndoqi nga afër zhvillimet te shkodranët dhe në fushën sportive të fshatit Golem, aty ku skuadra nisi stërvitjen të hënën, nuk u paraqit ditën e djeshme asnjë futbollist.

VLLAZNIA

Një situatë vërtetë e trishtueshme, teksa pjesëtarët e stafit teknik, zv.trajneri Safet Osja dhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi, pritën më kot nëse ndonjë nga lojtarët do të vinte në terrenin stërvitor. Kapiteni Gilman Lika deklaroi se derisa të marrin zgjidhje kërkesat e futbollistëve për rrogat e pamarra, kontratat, akomodimin etj., skuadra nuk do të paraqitet në stërvitje.

Lojtarët duken më të bashkuar se kurrë dhe as paralajmërimet apo presionet për masa penalizuese nuk u kanë bërë përshtypje. Jonuz zbatoi karantinën, duke mos u shfaqur në kompleksin stërvitor, ndërsa Osja dhe Lekiqi, pasi pritën për 20 minuta dhe konsuamuan nga një cigare, lanë fushën të zhgënjyer në këtë situatë të paprecedentë.

TAKIMI – Në paraditen e djeshme administratori Suad Lici dhe trajneri Mirsad Jonuz kanë bërë një takim kokë më kokë me kryebashkiaken Voltana Ademi. Natyrisht është diskutuar për zgjidhjen e problemit, por gazeta mëson se numri një i bashkisë ka qenë kundër faktit që futbollistët në këtë moment nuk kanë pranuar të stërviten.

VLLAZNIA NE BOJKOT (1)

Duke qenë se çdo gjë është në dorë të Këshillit Bashkiak, drejtuesit e klubit kanë urdhëruar trajnerin Jonuz dhe pjesëtarët e stafit të paraqiten në stërvitje në orën 17:00 për të parë se cili nga lojtarët do të vinte. Gjithsesi, asnjë futbollist nuk pranoi të stërvitej dhe kësisoj pas këtij refuzimi, klubi do të përgatisë gjoba ose masa drastike.

REAGIMI – Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka dalë dje me një qëndrim zyrtar për situatën te Vllaznia. “Bashkia e Shkodrës ka miratuar buxhetin për vitin 2020 për klubin e futbollit Vllaznia sh.a. që në dhjetor të vitit 2019. Jemi në fund të muajit maj 2020 dhe Këshilli Bashkiak akoma nuk ka shqyrtuar dhe miratuar pasqyrat financiare të KF Vllaznia sh.a., duke bllokuar vijimësinë e pagesave që nga muaji shkurt dhe deri në këtë moment që jemi, 22 maj 2020.

Voltana Ademi

Në muajin shkurt ka pasur një përpjekje nga ana juaj për zhbllokimin e situatës te KF Vllaznia sh.a., por vetëm aq. Në momentin që flasim, futbollistët, stafi teknik, trajnerët e akademisë dhe punëtorët e terreneve sportive nuk kanë mundur të marrin pagat e tyre. E gjithë kjo ka krijuar një situatë të rëndë që rrezikon të ketë impakt edhe në pjesën sportive, të rezultateve dhe objektivave për të gjitha ekipet e KF Vllaznia sh.a. në kompeticionet ku marrin pjesë.

Dua të vazhdoj të besoj që nuk ka ndonjë keqdashje në këtë zvarritje që po i bëhet zhbllokimit të financimit të punës së sportistëve dhe stafit të KF Vllaznia sh.a. Në këto kushte, kërkoj nga ana juaj, me urgjencë dhe pa vonesa, shqyrtimin dhe miratimin e pasqyrave financiare, në një mbledhje të thirrur nga administratori i KF Vllaznia, për t’i hapur rrugën vijimin në normalitet të punës.

Edhe Vllaznia, ashtu si klubet e tjera, ka kaluar jo pak probleme edhe për shkak të pandemisë dhe gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Siç jeni në dijeni, sezoni futbollistik rifillon më 3 qershor, ndërsa ekipet kanë nisur stërvitjen. Kësisoj, si kryetare e Bashkisë Shkodër, duke përcjellë zërin e sportistëve dhe tifozërisë, kërkoj reagimin me përgjegjësi nga ana juaj”, citohej në komunikatën e kryebashkiakes Ademi.

TRAJNERI – Mirsad Jonuz ka vendosur të presë klubin deri më 31 maj, kur edhe i skadon kontrata. Gazeta zbulon se në rast se deri në këtë datë nuk përmirësohet situata, atëherë maqedonasi do t’i japë duart klubit. Që dje drejtuesit e klubit kanë urdhëruar trajnerin e U19, Luan Zmijani, që të jetë i gatshëm për çdo situatë, pasi vetë Lici ka paralajmëruar se do të vazhdohet kampionati me të rinjtë.

JONUZ VLLAZNIA STERVITJE

SHTËPITË – Lojtarët e huaj dhe ata nga rrethet e tjera të Shqipërisë që luajnë te Vllaznia kanë edhe një javë kohë të qëndrojnë në banesat e tyre që janë marrë me qira në qytetin e Shkodrës. Mësohet se ata janë lajmëruar së fundmi nga pronarët e banesave, se duhet të lirojnë shtëpitë pas një jave. Një situatë e paprecedentë, pasi futbollistëve u është hequr edhe ushqimi, ndërsa janë kërcënuar disa herë me ndërprerje të dritave në banesa, pasi u bënë muaj të tërë që nuk paguhen.

ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"