“Me Turbinën nuk fituam prej arbitrimit”, Resuli paralajmëron kthesën e madhe: Ky Flamurtar kalon çdo kundërshtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2021 | 18:21

“Me Turbinën nuk fituam prej arbitrimit”, Resuli paralajmëron kthesën e madhe: Ky Flamurtar kalon çdo kundërshtar

Dritan Resuli paralajmëron kthesën e madhe. Trajneri është i bindur se skuadra e tij ka kapacitetet për të përballuar çdo kundërshtar. Ai nuk dëshiron që të merret më me gjykimin në Cërrik, por e thotë hapur se në kushte të tjera do të kishin fituar ata. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, komenton edhe shtyrjen e fundit të kampionatit, por edhe çështjen e merkatos.

RESULIIII

Profesor, si po ecin përgatitjet?

Po përgatitemi me intensitetet të lartë dhe po marrim ngarkesat e planifikuara në varësi të vazhdimësisë së ndeshjeve që kemi përpara. Jam i kënaqur me ekipin, pavarësisht humbjes në Cërrik. Dua të them se e dominuam ndeshjen. Ishim superiorë, e mbajtëm topin më shumë dhe kishim mundësi për të fituar. Por, e patë se si vajti ndeshja… E kishim shumë të vështirë që të të fitonim me atë arbitrim.

Flamurtari është ankuar shpesh për gjykimin…

Nuk më pëlqen që të merrem me këtë pjesë, pasi më duhet të përqendrohem te performanca e djemve në fushë, të cilët punojnë shumë. Ndaj, duhet që të jetë një lojë e drejtë në të gjithë komponentët e saj e pa ndikime me qëllim që të gjithë të ndiejmë kënaqësinë e punës që bëjmë gjatë gjithë javës në stërvitje. Ne do të vazhdojmë që të luajmë “Fair Play”, ashtu siç kemi bërë deri tani.

Kampionati shtyhet sërish, tashmë prej borës. Ju shqetëson kjo gjë?

Javën që kishim pushim, ekipi u përgatit me dy seanca dhe kemi marrë ngarkesë të plotë. Jemi në pritje të vendimit që do të marrë FSHF. Gjithsesi, po vazhdojmë punën, nesër (sot) dhe pasnesër do të vijojmë me dy seanca në ditë. Normalisht që na prish pak punë, pasi java na doli jashtë parashikimeve. Nëse do të mbetemi pushim edhe këtë javë, atëherë do të shikojmë mundësinë e ndonjë ndeshjeje miqësore që ti afrohet kundërshtarit.

flamurtari-oriku

Kundërshtari i radhës për ju është Besa, a do të vijë kthesa e madhe në këtë 90- minutësh?

Të gjitha ndeshjet janë të vështira. Tashmë që ekipet i njohim, e kemi më të lehtë. Nuk është më ai kurioziteti për të zbuluar kundërshtarin. Me atë potencial që kemi në ekip, të gjitha ndeshjet mund t’i përballojmë. Gjëja që na lë të besojmë, është se grupi ka dëshirë e impenjim për maksimumin dhe kjo dallohet në seancat stërvitore që zhvillojmë.

Zyrtarisht nuk bëtë merkato në janar, në një kohë që afrime në ekip keni. A ka të reja për këtë çështje?

Jemi në pritje të hapjes së merkatos. Afrimet janë ingranuar shumë mirë me grupin dhe tashmë janë pjesë jona dhe e strategjisë që kemi ndërtuar për vazhdimësinë e kampionatit.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"