“Me Turbinën meritonim fitoren”, kapiteni i Flamurtarit: Terrenet e Kategorisë së Parë më të vështira se të Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 10, 2020 | 14:15

“Me Turbinën meritonim fitoren”, kapiteni i Flamurtarit: Terrenet e Kategorisë së Parë më të vështira se të Superiores

Mateo Qarri “qan” ende barazimin me Turbinën. Kapiteni mendon se skuadra meritonte fitoren, por me bindje e thotë që ngjitja nuk do të diskutohet. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, kapiteni skanon nisjen e sezonit dhe tregon vështirësitë që do të kenë vlonjatët në Kategorinë e Parë.
mateo qarri

“Një barazim në javën e parë në letër mund të quhet rezultat pozitiv. Meritonim fitoren, në fakt, pasi patëm shumë raste për të shënuar. E megjithatë, nuk ishim të qartë para portës. Mendoj se zhvilluam një ndeshje shumë të mirë dhe goxha të luftuar. Gjithsesi, tani na mbetet që të shikojmë ndeshjet e tjera një e nga një dhe të bëjmë më të mirën tonë. Kategoria e Parë do të jetë e vështirë, pasi luhet futboll i fortë. Po ashtu, edhe terrenet janë pak më të vështira se në Superiore. Por, ky nuk është aspak justifikim, pasi ne do t’i shikojmë maksimalisht të gjitha ndeshjet që kemi para”, deklaroi fillimisht 21- vjeçari, që ka marrë edhe shiritin.

Flamurtari-Turbina
OBJEKTIVAT – Mbrojtësi foli për objektivat e Flamurtarit. Vlonjatët duan që të rikthehen një orë e më parë në elitë dhe lojtarët janë më të motivuar se kurrë për t’ia dalë. “Duke parë këto dy ndeshje të mira që kemi bërë si në Kupën e Shqipërisë dhe kampionat, mendoj se ky ekip me këta elementë të rinj premton shumë. Unë kam bindjen se ne mund të ngjitemi në Kategorinë Superiore, por vetëm nëse do të futemi në fushë të motivuar për të marrë maksimumin. Po ashtu, duhet ta shohim çdo ndeshje si të ishte finale. Jam i sigurt se do të arrijmë të jemi atje ku na takon. Në ekip kemi lojtarë të rinj të cilët janë të talentuar dhe që mendoj se do të bëjnë mirë gjatë kampionatit për të arritur ata objektiva që ne kemi”, tha vlonjati, që komentoi edhe eliminimin nga Kupa e Shqipërisë. “U eliminuam për gabimet tona. Ne si futbollistë jemi të përqendruar vetëm në fushën e lojës. Për arbitrat nuk na takon neve të flasim. Mirë do të ishte që të kualifikoheshim për më tej, por kjo nuk ndodhi. Tani duhet të shikojmë përpara, për të bërë sa më mirë në kampionat dhe për ta kthyer Flamurtarin sa më shpejt atje ku i takon dhe ku ka vendin”, përfundoi Qarri.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"