“Me Torasën dhe Bathën në formë jemi super”, Kale: Titulli? Tirana flet në fund, janë problemet e mia…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2021 | 19:16

“Me Torasën dhe Bathën në formë jemi super”, Kale: Titulli? Tirana flet në fund, janë problemet e mia…

Elton Kaleja ishte një nga lojtarët që ndry shoi lojën me Apoloninë. Hyri në fushë dhe në 45 minuta shënoi një gol, mori një penallti. Më shumë se kaq nuk ka ku të shkojë. Braziliani këtë kampionat ka luajtur vetëm 509 minuta në 11 takime duke shënuar 2 gola. Pas takimit me Apoloninë thotë se është i kënaqur dhe bëri atë që i kërkohet nga trajneri.

elton kale

“Jam shumë i kënaqur. Bëra gjithçka munda për aq sa luajta. Jam i lumtur për golin dhe shpresoj që të vazhdoj kështu edhe në të ardhmen”, tha në fillim Kaleja. Braziliani do të kishte dëshirë që të luante nga minuta e parë, sepse pothuajse në çdo ndeshje po futet zëvendësues, por kjo është zgjedhje e detyruar. “Nuk ekziston një situatë që të jem i mërzitur me mosaktivizimin. Me trajnerin kam një marrëdhënie shumë të mirë. Janë problemet e mia fizike që na bëjnë të administrojmë situatën time. E kishim vendosur që më përpara se do të luaja nga pjesa e dytë. Sigurisht që unë dua të luaj sa  më shumë, por siç e thashë së bashku me stafin mjekësor e teknik kemi vendosur kështu”, vazhdoi lojtari i krahut të majtë.

Ai hyri në fushë në pjesën e dytë dhe gjithë ndeshja ndryshoi. “Dhashë gjithë shpirtin në fushë. Besoja tek aftësitë e mia, por edhe shokët besuan tek unë. Janë djem fantastikë. Të ndihmojnë dhe për mua ishte më e thjeshtë”, vazhdoi më tej ai. Kale thotë se Torasa e Batha ndryshojnë situatën kur janë në fushën e lojës. Ata ndryshojnë për mirë fatet e ndeshjeve dhe këtë braziliani nuk lë pa e nënvizuar. “Për më tepër, unë, Torasa e Batha japim energji tjetër në fushë dhe kjo u pa me lojën që bëmë”, pranoi Kale.

kale-torasa-batha

Te Tirana askush nuk e pranon që bardheblutë janë në lojë për titullin. Në këtë linjë është edhe vetë Kaleja, i cili pohon se në fund të kampionatit do të flitet nëse kampionët përsërisin sezonin e shkuar. “Unë besoj shumë te goli dhe puna ime. Për sa i përket titullit them se është më mirë që të shohim në fund të kampionatit. Të shohim…”, mbylli Elton Kale.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"