“Me të mëdhatë marrim pikët”, braziliani i Skënderbeut rrëfehet para sfidës me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2022 | 21:40

“Me të mëdhatë marrim pikët”, braziliani i Skënderbeut rrëfehet para sfidës me Kukësin

Skënderbeu kërkon të marrë pikë edhe në ndeshjen e transfertës ndaj Kukësit. Pavarësisht vështirësive që sjell me vete kjo sfidë por edhe zhvillimeve më të fundit, bardhekuqtë duken të vendosur që të marrin më të mirën e mundshme për të mbajtur ende të gjalla shpresat e largimit nga zonat e ftohta të klasifikimit.

ZHAN VIKTOR

Ndeshja e së dielës sjell me vete vështirësi dhe domosdoshmëri për pikë. I këtij mendimi është edhe braziliani i Skënderbeut, Zhan Viktor. Një nga më të mirët në pjesën e parë të sezonit dhe gjithmonë solid në mesin e fushës, Viktor nuk i trembet aspak cilësisë së Kukësit dhe faktit që nuk kanë fituar në ndeshjen e tyre të parë përballë Dinamos.

Sipas Viktorit, Skënderbeu ka treguar se në ndeshje të tilla të mëdha merr dhe jep më të mirën e mundshme. Ndaj, edhe për këtë ai është i bindur se korçarët nuk do të dalin pa pikë nga kjo ndeshje. “Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje impenjative dhe mjaft e vështirë për ne, por e tillë ka për të qenë edhe për Kukësin. Ne nuk jemi një ekip që kalohemi kollaj dhe të gjithë e dinë këtë. Sidomos në ndeshje të cilat janë të forta në letër ndaj kundërshtarëve të mëdhenj.

Kukësi një gjë të tillë e di mjaft mirë, por e dinë edhe ekipet e tjera. Është e vërtetë që pas humbjes në mesjavë Kukësi ka nevojë për pikë dhe për të rikthyer fitoren sidomos pas merkatos së bërë dhe pretendimeve që ka në këtë sezon.

Por edhe ne nga ana tjetër kemi shumë nevojë për të marrë sa më shumë pikë të mundemi për t’u shkëputur nga zona e ftohtë e renditjes. Një favor për ne është që do të luhet brenda pak ditësh pas ndeshjes me Dinamon dhe Kukësin, por në fund të fundit humbja e tyre i bën më të fortë dhe më kërkues”, theksoi fillimisht Zhan Viktor.

GOLAT – Më pas braziliani u ndal edhe te mungesa e golit në ndeshjet e fundit si dhe shpërdorimi i rasteve nga ana e sulmuesve. Për Viktorin nuk është vetëm një përgjegjësi e sulmuesve, por edhe një mungesë e theksuar e fatit. Gjithsesi, braziliani i Skënderbeut ka bindjen se do të zgjidhet gjithçka shumë shpejt, për sa kohë ekipi është në gjendje të krijojë volum loje dhe raste, gjithçka është në rregull.

“Në javët e fundit jemi të përndjekur nga një mungesë e theksuar e fatit e cila na shqetëson disi. Besoj të jetë moment kalimtar dhe shumë shpejt, ndoshta që këtë javë të zgjidhen. Nuk mund të fajësojmë sulmuesit për mungesën e golave pasi në fund të fundit golat nuk priten vetëm nga ta por nga gjithë ekipi.

Normalisht, ne jemi duke prodhuar lojë dhe po krijojmë shumë raste për shënim. Kam përshtypjen se është momentale. Shpresojmë që duke nisur nga kjo ndeshje të rregullohet gjithçka”, mbylli prononcimin e tij Zhan Viktor.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"