“Më të fortë se sezoni i fundit”, Emiliano Vila: Të fitojmë Superkupën, më pas fillojnë shumë gjëra të bukura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2021 | 14:53

“Më të fortë se sezoni i fundit”, Emiliano Vila: Të fitojmë Superkupën, më pas fillojnë shumë gjëra të bukura

Mesfushori durrsak, Emiliano Vila, në një intervistë për “Panorama Sport”, ka komentuar sezonin që lamë pas, garën për titullin. Në fjalën e tij, mesfushori shprehet se shpreson që afrimet të jenë të një niveli cilësor për të ndihmuar skuadrën. Vila e dëshiron dhe Superkupën pavarësisht vështirësisë që ka kjo ndeshje.

vila

Nesër trofeu i parë i sezonit, sa e dëshiron Teuta?

E kemi vlerësuar maksimalisht. Çunat e dinë që Superkupa është objektivi i parë i klubit para fillimit të sezonit. Do të jetë jashtëzakonisht e bukur që pas kampionatit të marrim edhe Superkupën e Shqipërisë. Emri i tyre do të mbetet në historinë e klubit. Nuk e shoh vetëm si një kupë, por ka shumë gjëra brenda. Duhet ta fitojmë, pasi më pas fillojnë shumë gjëra të bukura.

Nga organika e ekipit kush nuk është gati?

Gjendja është shumë optimale, edhe harmonia në grup është shumë e mirë. Këto ditë jemi munduar t’i shfrytëzojmë në maksimum për të qenë sa më të gatshëm në ndeshjen e sotme. Lorenco ka probleme dhe pa u rikuperuar s’do të jetë gati për ndeshjen.

Triumfi në Superkupë mund të nënkuptojë që Teuta e meritoi titullin kampion sezonin e shkuar?

Kemi disa ditë që përgatitemi. Është diçka e kaluar nuk ka mëdyshje se titulli ishte i merituar, kaq. Besoj se nesër(sot) do të jemi në maksimumin tonë dhe me dëshirën e Zotit shpresojmë ta fitojmë ndeshjen.

A jeni të motivuar për të fituar Superkupën?

Rëndësia e Superkupës është mes një titulli të rëndësishëm dhe një ndeshjeje përgatitore. Përballja Teuta-Vllaznia është një duel që e sheh gjithë vendi. Si te ne dhe te Vllaznia kanë ndodhur ndryshime në organikë. Patjetër ka tituj më të rëndësishëm, por, këtë herë dua ta fitoj.

Si e shihni kualitetin e ri të Teutës?

Teuta përpiqet të përforcohet dhe jo të përkeqësohet nga blerjet. Duhet të shohim nëse përforcimet do të na vijnë në ndihmë për një kohë të shkurtër apo të gjatë. Fakt është që blerjet janë cilësore.

Cili është objektivi për sezonin e ardhshëm?

Objektivi i parë është Superkupa e Shqipërisë, ku egoja për ta fituar atë është nga lojtari i parë deri te çdo hallkë e klubit. Objektivat e tjera do t’i shohim përgjatë rrugës, e cila është e gjatë dhe me plot të papritura, por ne jemi besimplotë që të qenit një skuadër kompakte dhe me shumë sakrificë arrihet drejt suksesit.

Mendoni se sezoni i ardhshëm do të jetë më i bukuri në vitet e fundit?

Unë vazhdoj dhe e them që futbolli në Shqipëri nga viti në vit rrit cilësinë dhe bëhet më shumë i vështirë se ai që lë pas, kështu që jo vetëm ne, por edhe ndonjë ekip tjetër do ta rriste akoma dhe më shumë garën.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"