“Me Skënderbeun e vështirë, por duam fitoren”, Krasniqi: Teuta beson te titulli, ja problemi i golit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2021 | 18:08

“Me Skënderbeun e vështirë, por duam fitoren”, Krasniqi: Teuta beson te titulli, ja problemi i golit

Teuta arriti të shikojë “dritë në fund të tunelit” pas fitores ndaj Apolonisë në Durrës. Blerim Krasniqi, i afruar në merkaton e verës, duket se ka hyrë në brendësi të ekipit dhe është bërë një pikë referimi në sulm për trajnerin Martini, ndonëse ky repart akoma nuk e ka treguar forcën që mbart. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” sulmuesi ka folur rreth aventurës së tij në Durrës, përshtatjen, ngërçin që ka ekipi në gjetjen e golit, mundësitë për të kapur Vllazninë, si dhe ndeshjen e radhës me Skënderbeun.

KRASNIQI

Blerim, skuadra vazhdon të vuajë për golin. Pse ndodh kjo, në një kohë që Teuta ka në ekip lojtarë të afirmuar në fazën ofensive?

Jemi duke punuar shumë me manovrat sulmuese, pasi është i vetmi repart ku kemi pak probleme. Shpresoj që të jetë dita jonë ndaj Skënderbeut. Të gjitha ndeshjet që kemi luajtur në Durrës kemi pasur vështirësi, pasi kundërshtarët luajnë me shumë lojtarë mbrapa.

Shpesh e kërkoni me nervozizëm të shkoni te goli, çfarë ju pengon?

Është një ngërç momental. Kemi raste, por nuk dalim te goli edhe pse jemi në harmoni me njëri-tjetrin si grup. Nuk ka ndikuar asgjë, thjeshtë jam i mendimit që duhet më shumë qetësi para portës, por dhe pak fat.

Ju vjen keq për rastet e shpërdoruara dhe sa gola mund të kishit shënuar nëse do të kishit finalizuar më mirë?

Po, më vjen disi keq, por nuk ka të bëj as me gjendjen psikologjike, pasi kam qenë shumë i kthjellët dhe i qetë para portës. Besoj se më shumë ka qenë çështje fati që më ka penguar të shënoj, megjithëse kam pasur raste, por edhe kam shpërdoruar. Do të mundohem që me golat e mi t’i jap Teutës atë objektiv që kemi të gjithë.

Ndaj Apolonisë luajtët për disa minuta edhe kundër vëllait tuaj, Jetonit. Cila ishte ndjesia dhe çfarë biseduat pas ndeshjes?

Ndjesia e bukur, megjithëse nuk është hera e parë që luajmë kundër njëritjetrit. Asgjë specifike, thjesht i uruam suksese njëri-tjetrit.

A mund të kapet Vllaznia, si e shikoni garën për kreun?

Unë besoj se fakti që Teuta ka bërë disa barazime në fushë dhe fakti që ka mundësi ta përmirësoj pasi jemi në vend të tretë. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, skuadra shkon lartë dhe ne jemi një nga pretendentet. E rëndësishme është që të shohim rezultatet e ndeshjeve tona sfida pas sfide dhe të mos e shohim shumë tabelën.

Do të luani ndaj Skënderbeut, ndaj të cilit e nisët sezonin me një barazim në shtëpi. Çfarë ndeshjeje prisni këtë herë?

Ndeshja e së premtes i ka të tria rezultatet. Teuta vjen nga fitorja ndaj Apolonisë, ndërsa Skënderbeu nga humbja në Tiranë. Barazimi nuk i bën punë asnjërës skuadre, pasi objektivi ynë është të dalim kampion. Për të ndjekur Vllazninë nuk na falet asnjë gabim, pasi shkodranët kanë luksin të bëjnë dhe ndonjë barazim ndaj ndonjë tjetër skuadre.

BERIM KRASNIQI

E mendonit që ish-ekipi juaj, Skënderbeu, do të luftonte për mbijetesë këtë sezon dhe a e bën kjo më të vështirë duelin e së premtes?

Unë personalisht e kam vlerësuar Skënderbeun dhe i ka mundësitë për të mbijetuar. Normale që e bën të vështirë ky fakt, por besoj te Teuta. Do t‘ia dalim që të ruajmë ecurinë pozitive në vijim.

Kush është mbrojtësi që ju ka hapur më shumë punë këtë sezon?

Nuk mund të specifikoj dikë konkretisht, por di të them që Superiorja është rritur shumë. Mbrojtjet e skuadrave janë rritur shumë dhe është bërë një futboll më i fortë.

Me sa gola mendoni se mund ta mbyllni sezonin e parë te Teuta?

E përsëris, për sulmuesin golat janë shumë të rëndësishëm. Teuta ka një grup lojtarësh shumë të mirë. Këtu e kam fjalën edhe për sulmuesit. Jemi katër sulmues shumë të mirë, të gjithë të denjë për të luajtur titullarë. Është e vërtetë që nuk kemi kaluar një moment të mirë këtë sezon, por na duhej pak kohë sa të njihnim lojën e njëri-tjetrit.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"