“Me Sitin do jetë si finale”, Zidan: Bejl, jashtë liste se nuk donte të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 7, 2020 | 17:33

“Me Sitin do jetë si finale”, Zidan: Bejl, jashtë liste se nuk donte të…

Garet Bejl nuk është me skuadrën e Re alit të Madridit në Mançester në ndeshjen e kthimit të 1/8-ave të Champions-it kundër Sitit, sepse nuk donte të ishte. Trajneri Zinedin Zidan ka dhënë këtë shpjegim për mungesën surprizë të uellsianit në listën me 24 emrat e tij për duelin në “Etihad”, duke thënë se sulmuesi nuk kishte dëshirë të ishte në këtë ndeshje, pa dashur të zbulojë më shumë për problemet mes tyre.

hi-res-a13d586491aaf174f7f534ae0c953751_crop_north

“Bejl është një futbollist i Realit të Madridit, asgjë nuk ka ndryshuar dhe unë e respektoj këtë. Në fund, shumë gjëra janë thënë, por ne kemi një marrëdhënie respekti trajner-lojtar. Është një bisedë private ajo që patëm, por unë mund t’ju them vetëm se ai preferoi të mos luante dhe pjesa tjetër është mes atij dhe meje”.

Si është skuadra, ndikon pesha e rezultatit në  Madrid në këtë ndeshje në Mançester?

Ekipi është mirë, sepse jemi përgatitur për këtë ndeshje. E dimë që jemi në disavantazh, por kjo është një tjetër finale dhe ne do të përpiqemi të bëjmë një ndeshje të shkëlqyer.

Si është Hazardi?

Është e vërtetë që në fund të kampionatit pati pak shqetësim, por tani është shumë më mirë dhe me vetëbesim.

Do të rrezikoni me të?

Kjo është një gjë që e vendos trajneri dhe lojtari. E rëndësishme është që ne jemi të gjithë mirë, sepse kemi pasur 10 ditë kohë për ta përgatitur ndeshjen. Hazard është mirë.

Zidani5

Përballë është skuadra me sulmin më të mirë, Siti, dhe mbrojtja më e mirë, Reali…

Nuk e di çfarë do të ndodhë nesër (sot), por do të jetë një ndeshje e bukur mes dy skuadrave shumë të mira dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Ne e dimë situatën nga ndeshja e parë, por kanë ngelur edhe katër finale nëse duam të shkojmë deri në fund dhe kjo është e para.

Si është gjendja e Marselos?

Ai është 100%, si gjithë të tjerët. Jeni i zhgënjyer nga Bejli? Nuk jam zhgënjyer dhe nuk do t’ju tregoj asgjë. Është pyetja e tretë që më bëni për Garetin. E respektoj atë e të gjithë dhe këto gjëra duhet të mbeten në dhomën e zhveshjes.

A ka Bejl një të ardhme në skuadrën e Realit me Zidanin në stol?

Nuk e di, ai tani për tani është një lojtar i Realit, asgjë nuk ndryshon rreth kësaj. Ai preferoi të mos luante dhe kjo është e vetmja gjë që mund t’ju them. Jemi të përqendruar te ndeshja me Mançester Sitin.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"