Me sistem “GPS”, Kukësi i futet shkencës për stërvitjen e skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2021 | 16:10

Me sistem “GPS”, Kukësi i futet shkencës për stërvitjen e skuadrës

Kukësi është duke shkuar drejt fundit të përgatitjeve në tokën sllovene, aty ku udhëtuan më 11 gusht dhe do të qëndrojnë deri më 25 të këtij muaji.Një dyjavorësh që shihet si i përshtatshëm për një fazë jashtë vendit. Në kushte të shkëlqyera, si për sa i përket terrenit ku po stërviten, por edhe klimës më të freskët në krahasim me Shqipërinë, trajneri Longo shpreson që verilindorët të arrijnë sa më parë formën optimale dhe të jenë të gatshëm për nisjen e kampionatit.

ehe

Për këtë arsye, italiani është duke zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë, duke i mëshuar shumë si aspektit teknik, por edhe atij fizik. Tani, stërvitjet nuk do të jenë më thjesht mekanike, por në njëfarë mënyre edhe shkencore, kjo për faktin se Kukësi është pajisur edhe me sistemin “GPS”, i cili jep të dhëna të sakta për çdo lojtar dhe njëkohësisht i jep më shumë mundësi trajnerit dhe stafit të dijë konkretisht gjendjen e çdo futbollisti.

kk

SISTEMI “GPS” – Ka qenë vetë klubi i Kukësit që në faqen zyrtare në “Facebook” ka raportuar për pajisjen me 20 GPS, nëpërmjet të cilit përgatitësi atletik do të ketë të dhëna të sakta për çdo lojtar. Kjo shihet si një ndihmë shumë e madhe për stafin, i cili më në fund ka mundësi që të ekzaminojë edhe shkencërisht lojtarët rreth gjendjes së tyre, kryesisht asaj fizike.

kukesi

“Klubi i Kukësit nga ky sezon është pajisur me 20 GPS të firmës italiane ‘LagalaColli’. GPS në fjalë u janë nënshtruar studimeve rigoroze të vërtetimit për sportin, që lejon regjistrimin deri në 50 të dhëna në sekondë ‘Extreme 50Hz’. Përmes këtyre të dhënave përgatitësi atletik i skuadrës, Iris Selimi, bën studimin/analizimin e të dhënave të regjistruara nga GPS, si shpejtësinë, të përcaktojë pozicionin, distancën, kohën, përshpejtimin, ngadalësimin, shpenzimin e energjisë dhe fuqinë metabolike që zhvillon një lojtar në praktikën e sportit te futbollit. GPS do të jetë një ndihmë më shumë për ekipin, që pas shumë kohësh në transferta, do të rikthehet në shtëpi”, thuhet në njoftimin e klubit verilindor.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"