Shnajder: Më shumë vrap e më pak “magji”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 4, 2014 | 19:15

Shnajder: Më shumë vrap e më pak “magji”

Van Gal dhe ShnajderSakrifikon gjithçka për ekipin. Luan në një pozicion tjetër pasi kështu ia kërkon trajneri dhe kryen çdo detyrë që i ngarkon ai vetëm që Holanda të ecë sa më larg. Uesli Shnajder rrëfeu ditën e djeshme se ndihej mirë me pozicionin e ri, edhe pse nuk mund të bënte më lojën spektakolare që i lejonte më parë roli i numrit dhjetë. “Duhet që ta harroni Shnajderin e para katër viteve. Tani luaj në një pozicion të ri, ku më kërkohet më shumë vrap dhe më shumë topa të gjatë”, nisi fjalën e tij 30-vjeçari.
Pragmatist – “Në fillim e kisha pak të vështirë që të ambientohesha me rolin e ri. Por me kalimin e kohës kam mësuar që të bashkëjetoj me këtë pozicion dhe jam i lumtur me këtë fakt. Ndihem shumë mirë, pasi plotësoj çdo detyrë që më jep trajneri”, shpjegoi Shnajder. Në këtë aspekt ai pështjelloi edhe më shumë mendim e tij, duke u dalë në krah zgjedhjeve të Van Galit: “Duhet që të jemi realistë. Ne nuk kemi një mesfushë që të jetë e zonja ta qarkullojë topin për shumë kohë. Nëse do të dëgjonim njerëzit, atëherë do të mbanim sferën në 70% të kohës dhe do të ishim në shtëpi tani”.
I ashpër – Para gazetarëve fantazisti i Gallatasarajit u tregua mjaft i ashpër me veten dhe ekipin që përfaqëson. “Katër vite më parë ne humbëm Kupën e Botës në metrat e fundit. Të jem i ndershëm, them se edhe në Afrikë të Jugut nuk luajtëm shumë bukur”, tha mes të tjerave numri dhjetë i Holandës.
Shembulli – “Nëse shpallemi kampionë bote, atëherë në fillim duhet që të luajmë me bindje se mund t’ia dalim. Në rast se do të marrim kupën në shtëpi, askush nuk ka për të na thënë sa shëmtuar kemi luajtur. Mbaj mend se në Europianin e 2008-ës zhvilluam ndeshje spektakolare përballë Italisë dhe Francës. Të njëjtën gjë tentuam edhe ndaj Rusisë, por shkuam në shtëpi”, argumentoi 30-vjeçari. Ky i fundit tentoi që të “justifikonte” ndryshimet në skemë të bëra nga trajneri Luis Van Gal.
Sakrifica – Pasi u rikthye edhe njëherë te detyra e trajnerit, Shnajder u mundua që të shpjegonte se gjithçka e bënte në emër të skuadrës. “Të gjithë topat kalojnë nga unë. Ashtu si dhe më parë jam në shërbim të skuadrës. Nëse më kërkohet që të interpretoj një rol të tillë, atëherë do ta bëj diçka të tillë. Disiplina është një nga faktorët që dallon ekipet fituese me të tjerat”, sqaroi Shnajder. Për të parë se sa shumë e ka vënë veten e tij në dispozicion të skuadrës, mjafton që të shikojmë kilometrat e përshkruar në fushë deri më tani nga 30-vjeçari. Në katër takimet e para, në 345 minuta të luajtura ai ka përshkruar plot 41.9 mijë km. Ndërkohë që para tij te Holanda ndodhet vetëm Arjen Robeni, i cili në 360 minuta ka vrapuar 42.7 km. “Gjithçka që dua është Kupa e Botës. Dua të arrij një objektiv të tillë me çdo kusht”, përfundoi fantazisti.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"