Më shumë se një muaj që nuk luan, ja kur pritet të rikthehet në fushë futbollisti i Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 13, 2020 | 22:12

Më shumë se një muaj që nuk luan, ja kur pritet të rikthehet në fushë futbollisti i Tiranës

Ka më shumë se një muaj që Jurgen Çelhaka nuk po luan dot futboll. Problemet me rrëzët e kofshëve e kanë bllokuar mesfushorin e Tiranës. Ndonëse bëri terapi për dy javë me radhë në kryeqytet, gjendja e tij nuk u përmirësua. Në këto kushte u mendua që lojtari të transferohej në Greqi për kontroll dhe kurim. Madje, u hodh edhe ideja e një operacioni, që në fund rezultoi se nuk ishte i nevojshëm. Në fakt, pas mbylljes së rrugëve të Greqisë, Çelhaka u transferua në Kroaci në një klinikë të specializuar në Zagreb.
Celhaka
Ka qenë menaxheri Lekë Kcira, një ish-futbollist i Tiranës, i cili ka bërë të pamundurën që Çelhaka jo vetëm të vizitohej në Kroaci, por edhe të kurohej. Pas ekzaminimeve u bë e qartë se Çelhaka nuk kishte ndonjë dëmtim të madh. Pas terapive dhe kurave të marra në Kroaci, lojtari do të kthehet në Shqipëri. Me shumë mundësi, Jurgeni do të kthehet në fushë gjatë muajit dhjetor për të luajtur sërish për bardheblutë.

Kujtojmë që Çelhaka është një nga lojtarët më të rëndësishëm të Tiranës në sezonin e titullit, duke e treguar veten si një digë e vërtetë. Në këto javë të para të kampionatit, mungesa e tij është ndier shumë dhe për këtë qëllim Çelhaka duhet të vrapojë për të qenë në fushën e lojës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"