Më shumë se çdo skuadër, Apolonia e para jashtë fushe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2019 | 17:58

Më shumë se çdo skuadër, Apolonia e para jashtë fushe

Me gjuhën e statis ikave, vetëm 1 javë para mbylljes së fazës së parë të kampionatit, Apolonia është kampione e transfertave ndër 20 skuadrat pjesëmarrëse të së Parës. Janë 10 pikë të grumbulluara nga ekipi i Mërgjyshit në 5 ndeshje jashtë fushe, pas 3 fitoresh, 1 barazimi dhe 1 humbjeje, me golavarazhin 7-4. 

apolonia

Në këtë renditje Apoloninë e ndjekin Kastrioti dhe Korabi me nga 7 pikë. Apolonia ka luajtur vetëm 2 ndeshje në Fier, madje jo në stadium (për shkak të shtrimit të tapetit), por në mjediset e akademisë, ku ka fituar 1-0 me Ilirinë dhe ka barazuar 1-1 me Besën. Ndeshja me Lushnjën, ku fierakët ishin pritës, u luajt në “Adush Muça” të Ballshit. “Sekreti” i ecurisë pozitive të Apolonisë në transfertë ndoshta e ka zanafillën në miqësoret e verës, ku veç një ndeshjeje me Orikun, të gjitha të tjerat u luajtën jashtë Fierit. Batuta e fundit që qarkullon nga tifozët fierakë është: “Më mirë të luajmë gjithmonë jashtë!”

HYSENSHAHAJ 

Kapiteni Taulant Hysenshahaj ka pasur probleme fizike, por ndikimin e tij e ka dëshmuar fort në fushë në 2 ndeshjet e fundit me golat ndaj Besës dhe Devollit. Për mesfushorin fierak nuk ka vend për panik dhe ekzagjerim të panevojshëm në skuadër. “Ju duket pozicion i keq vendi i tretë? – e nis Hysenshahaj. – Jemi skuadër e re dhe vetëm 2 ndeshje kemi luajtur në fushën tonë. Po vuajmë dëmtimet e disa lojtarëve cilësorë dhe alternativë, por prapë jemi në nivele konkurruese, siç e ka shpallur si objektiv trajneri ynë në fillim të kampionatit. Pse jemi më rezultativë në transfertë? Le ta quajmë ‘faj të përbashkët’.

Deri tani kemi luajtur në mjediset e akademisë, do të kthehemi në stadium mbase që me Orikun, por na duhen tifozët. Jashtë fushe luajmë ‘me shpirt ndër dhëmbë’ pikërisht për të kënaqur me rezultate sportdashësit tanë, ata që na mungojnë në stadiumin tonë. E kam një mesazh për tifozët: Ejani mbushini shkallët si dikur dhe bëjeni për këta të rinj të talentuar që ka Apolonia, sepse është një brez premtues prej nga mund të dalin ‘Majacë, Roshë e Bare’ të tjerë. Kemi të rinj të talentuar, lojtarë të së ardhmes. Çfarë u duhet atyre? Punë, djersë e modesti dhe e kanë të sigurt të ardhmen, jo vetëm tek Apolonia. Ecuria e këtyre javëve ka dëshmuar vlerat e të rinjve të skuadrës sonë, ndaj jam më skeptik, edhe pse për të qenë të parët besoj se kemi nevojë për disa përforcime në janar”, përfundon për “Panorama Sport” kapiteni Hysenshahaj.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"