“Me shpirt gare dhe disiplinë taktike, kalojmë më tej”, “bomberi” Canka: Nuk e shpërdorojmë këtë shans

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 26, 2021 | 12:44

“Me shpirt gare dhe disiplinë taktike, kalojmë më tej”, “bomberi” Canka: Nuk e shpërdorojmë këtë shans

Pritjes i erdhi fundi. Tomori do të zbresë sot në orën 16:00 në “Elbasan Arena” vetëm me një mision: për të fituar dhe pasur ende shpresa për rikthimin në elitë.

Tomori Canka

Plot 8 vite në inferiore i kanë lodhur beratasit, ndaj janë gati që të shkarkojnë që të gjitha bateritë përballë Burrelit e të kapin finalen e madhe. Për ta motivuar edhe më shumë grupin ka menduar kryebashkiaku Ervin Demo që pritet të akordojë premio në rast kualifikimi.

KAPITENI – Mikel Canka nuk e diskuton fitoren. Shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë e parashikon jo pak të lehtë këtë ndeshje, ndaj ka edhe disa këshilla për shokët. Gjatë një prononcimi të dhënë për “Panorama Sport”, lushnjari shprehet se kanë edhe një borxh për të shlyer ndaj tifozëve dhe bashkisë, ndaj do të bëjnë çmos që ta kalojnë këtë pengesë. “Prej së dielës jemi grumbulluar në qytetin e Elbasanit, ku edhe po stërvitemi. Jemi zyrtarisht gati dhe në formë perfekte para kësaj finaleje. Fryma që mbizotëron në kamp është ajo që më jep shpresë.

I madh dhe i vogël ka besim se do ta kalojmë Burrelin. Jemi të ndërgjegjshëm se kundërshtari është i fortë dhe meriton vlerësim, pasi jo rastësisht ka ardhur deri këtu. Kemi aq shumë dëshirë për ta kapur elitën, sa do zotohem në emër të ekipit se do të luajmë me përqendrim dhe vlerësim maksimal. Finalet duan kujdes të madh, ndaj nevojitet sa më shumë shpirt gare dhe disiplinë taktike në fushë. Në Berat presin kualifikimin dhe ne jemi të vendosur të bëjmë detyrën. Një borxh e kemi edhe ndaj bashkisë, që për një sezon të tërë nuk u kursye kurrë ndaj nesh”, përfundoi “bomberi”.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"