“Me planin e Idrizit do ngjiten, por duhet merkato cilësore”, Franc Veliu sinjale rikthimi te Flamurtari: S’merrem më me borxhin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2022 | 12:31

“Me planin e Idrizit do ngjiten, por duhet merkato cilësore”, Franc Veliu sinjale rikthimi te Flamurtari: S’merrem më me borxhin

Ka për të marrë plot 65 mijë euro nga Flamurtari, por Franc Veliu e quan të mbyllur kapitullin e borxhit. Ish-kapiteni nuk ka në plan që t’i shkojë më pas kësaj teme dhe vendimin final ia lë administratorit. Gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mbrojtësi rrëfen se për një muaj i mbaron kontrata dhe nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në shtëpi. Nuk kishte si të mos fliste për të ardhmen e kuqezinjve, ndërsa ngjitjen e sheh mision të realizueshëm. E parashikon të vështirë garën me emra si Skënderbeu e Dinamo, ndaj shpreson që klubi duhet të tregohet i kujdesshëm me merkaton.

franc veliuFranc Veliu, 33-vjeçari kur luante te Flamurtari

Flamurtari nuk e zgjati më shumë se një vit ndalesën në Kategorinë e Dytë, si ndiheni si ish-kapiten?

Pa dyshim që ndihem mirë dhe i lumtur. Më gëzon progresi i Flamurtarit dhe ringritja e tij. Jam shumë i kënaqur dhe është një lajm i shumëpritur nga unë. Dua që Flamurtarin ta shoh sa më lart pasi e kam gjithmonë në zemër. Është skuadra ku jam rritur dhe kam dalë si futbollist.

Me Dinamon dhe Skënderbeun e shikoni të vështirë misionin “Superiore”?

Çdo kategori ka vështirësinë e vet. Nëse presidenti Idrizi do vazhdojë me këtë seriozitet dhe plan për Flamurtarin, besoj se nuk do ketë asnjë vështirësi për t’u rikthyer në Superiore.

Kur e shikoni Flamurtarin në elitë dhe çfarë duhet të bëjnë për ringritjen?

A-ja dhe B-ja e rikthimit në Superiore është pa dyshim serioziteti dhe merkatoja cilësore që duhet të bëjë stafi teknik. Unë kam besim se do ia dalin.

Si ish-futbollist që keni luajtur në të dyja epokat, cilat janë ndryshimet mes Gjikës dhe Idrizit?

Besoj se të dy meritojnë respekt për çdo investim dhe kontribut financiar që kanë pasur dhe kanë. Bota e futbollit dhe njerëzit e saj duhet të bëjnë përpjekje maksimale për të jetuar dhe bashkëjetuar në paqe. Ky është mesazhi im.

Ku do të jetë Veliu sezonin e ardhshëm?

Për një muaj dal lojtar i lirë. Besoj se do ta mendoj me qetësi këtë pjesë. Kam disa kontakte nga klubet brenda dhe jashtë Shqipërisë, por duhet të marr kohë për të vendosur.

Do të riktheheshit në Vlorë nëse do t’ju ofrohej?

Pa dyshim që Flamurtari është shtëpia ime. Nuk e përjashtoj si mundësi për të kontribuar.

Po me borxhin çfarë po ndodh?

Sa u përket borxheve, është një temë që ka mbetur pezull. Unë nuk dua t’i shkoj më nga pas. Presidenti Idrizi të bëjë si ta ndiejë dhe mendojë. Nuk i kam thënë më asgjë dhe nuk i shkoj më nga pas si çështje. I fundit ose qan, ose qesh!

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"