“Me Pirlon banoja në një pallat, pres që Juventusi të më hapë derën”, Bogdanit: Zbulova Kumbullën, ju tregoj si e munda Ibrën dhe ndala Ronaldon (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2020 | 23:00

“Me Pirlon banoja në një pallat, pres që Juventusi të më hapë derën”, Bogdanit: Zbulova Kumbullën, ju tregoj si e munda Ibrën dhe ndala Ronaldon (E PLOTË)

Erjon Bogdani sot është 43 vjeç dhe prej disa vitesh i ka dhënë fund futbollit të luajtur. Por, ai ka ende ëndrra të mëdha në lidhje me futbollin, tani madje ato kanë lidhje me Italinë. Është nga ata djemtë që pas një “fluturimi” mbresëlënës në karrierë rikthehet sërish në folenë e tij. Kroacia ishte trampolina e djaloshit nga Tirana dhe më pas përfundoi te Rexhina në Rexho Kalabria, aty ku gjeti Pirlon si shok skuadre.

Ibra-Bogdani

Aty nisi fluturimi në lartësi i Erjonit dhe më pas te Salernitana e Stefano Piolit trajner… Udhëtimi vazhdoi te Verona, Siena, Livorno dhe Çezena me Xhakerinin. Ish-sulmuesi në karrierën e tij ka mundur Ibrahimoviçin dhe ka sfiduar Ronaldon. Nuk është nga ata dosido, sepse ka përfunduar studimet në Fakultetin e Ekonomisë. Por, lënda e tij e preferuar nuk është as historia dhe as matematika, është futbolli…

Erjon, ju keni nisur të bëni rolin e trajnerit. Si po shkon kjo aventurë e re?

Punova për një vit e gjysmë me De Biazin te Kombëtarja shqiptare dhe ishte një udhëtim i bukur që përfundoi me kualifikimin në “Euro 2016”. Hera e parë që Shqipëria kualifikohej në një kompeticion kaq të rëndësishëm. Më pas mora drejtimin e Kombëtares U-19 dhe aty u dhashë mundësinë shumë të rinjve, mes tyre Kumbulla. Kjo aventurë u mbyll në tetor të vitit 2019 dhe tani jam pushim. “COVID”-i na i ka bërë disi gjërat të vështira, por unë udhëtoj shpesh dhe marr pjesë nëpër trajnime të ndryshme për t’u informuar sa më shumë.

Cila është ideja juaj për futbollin dhe a ka lidhje ajo me stilin italian?

Futbolli po ndryshon shumë. Modulet janë numra, sepse varet shumë nga futbollistët që ke në dispozicion. Duhet t’i vendosësh në fushë në mënyrën më të mirë të mundshme. Më pëlqen futbolli italian, edhe pse tani shumë gjëra po ndryshojnë edhe këtu. E kemi parë këtë ndryshim edhe këtë sezon, sepse shumë skuadra të Serisë A tanimë luajnë në sulm, por nuk mendoj se kjo gjë do të zgjasë. Në fund, objektivat i arrin ai që pëson më pak gola.

Bogdani vs Pirlo

Ç’mendim keni për Pirlon trajner?

E njoh Andrean sepse kemi luajtur bashkë te Rexhina. Ai është një djalë shumë i zgjuar, por është e vështirë të jesh trajner i Juventusit. Po bën rolin e trajnerit për herë të parë në stolin e kampionëve të Italisë… Më vështirë se kaq nuk bëhet. Kanë zhvilluar pak ndeshje deri tani dhe nuk mund të gjykohet, sepse as lojtarët nuk i ka pasur të gjithë në dispozicion. Më pëlqen që po promovon disa të rinj si Fabrota dhe Portanova. Pirlo nuk ka frikë nga asgjë, por ka një detyrë shumë të vështirë. Shpresoj që të bëjë gjëra të mëdha.

Te Rexhina ishte edhe Baronio që sot është ndihmëstrajner te Juvja. Çfarë kujtimesh keni?

Jetonim të tre në të njëjtin pallat: unë, Pirlo dhe Baronio. Me Roberton (Baronion) ishim shokë skuadre edhe te Kievo. Në stafin e Pirlos është edhe Tudor, me të cilin kam një raport të shkëlqyer. Ndoshta në të ardhmen më hapin portat dhe më lejojnë të ndjek ndonjë stërvitje të Juves… (qesh).
331

Çfarë kujtimesh keni nga Rexhina? A e ndiqni ende?

Po, e ndjek me kënaqësi. Ishte skuadra e parë ku luajta në Itali. Qëndrova aty për 3 vite e gjysmë. Arritëm të mbijetonim në sezonin 1999-2000 kur Lacio fitoi titullin dhe unë kisha mbërritur atë sezon në janar. Fituam shumë ndeshje së bashku me Pirlon dhe Baronion dhe ia dolëm në fund. Vitin tjetër ramë nga kategoria, por Rexhina ishte moment thelbësor në karrierën time sepse më mësoi se çfarë ishte futbolli italian.
pioli.milan.2020.21.applaude.derby.750x450

Pas Rexhinës, juve ju stërviti Pioli te Salernitana. Ç’mendim keni për trajnerin e sotëm të Milanit?

Ishte viti i parë që Pioli punonte në Serinë B. Pioli është një trajner i zoti dhe shumë i përgatitur. Në Itali ka shumë tifozë, madje edhe në radhët e klubeve, ndaj kur gjërat nuk shkojnë mirë, presioni bëhet shumë i madh. Por, Pioli të ofron qetësi kur të gjithë janë kundër. Nuk e di si e bën këtë, por duhet t’ia njohim meritën. Vitin e kaluar, unë së bashku me shkon tim, Leonardo Rinaudon, i telefonuam dhe ai ishte në Greqi me pushime. Drejtonte Fiorentinën dhe i thamë se do t’ia dilte mbanë, por më pas u befasova se si e larguan nga ai klub në atë mënyrë. Ka bërë mirë kudo ku ka qenë.

Milani i Piolit a është për titull?

Është shumë e vështirë ta thuash tani. Unë mendoj se tri të parat janë Juve, Interi dhe Napoli, por pas pandemisë Milani po ecën shkëlqyeshëm në kampionat. Pioli ka bërë një punë të madhe dhe ka aty Ibrën, që duket sikur nuk plaket kurrë. Në çdo ndeshje Zlatani bën gjëra të pabesueshme dhe bën gjithnjë diferencën. E mbaj mend që nga koha kur e kisha rival në fushë dhe ai gjithnjë ndryshonte fatet e një ndeshjeje. Kur donte ta fitonte një ndeshje, shpeshherë ia arrinte edhe i vetëm.

Ju e keni mundur Ibrahimoviçin kur luanit me Çezenën në 2010-ën. A ishte emocionuese?

Po, ishte ndeshja e parë e Ibrës që e luante me fanellën e Milanit pasi ishte rikthyer në Itali. Në atë ndeshje shënuam unë dhe Xhakerini, por patëm edhe fat, sepse Milani krijoi shumë raste. Ibra humbi edhe një penallti. Në ndeshjen e kthimit ai u “hakmor” sepse shënoi dy gola dhe na mundën. Pas Çezena-Milan 2-0 fola me Sedorfin dhe Pirlon. Mbaj mend që edhe Galiani nuk ishte në humor. Me Pirlon shkëmbenim gjithnjë fanellën dhe pas ndeshjes i thashë që të mos mërzitej, sepse kishin një skuadër të madhe dhe do të fitonin titullin. Atë vit i drejtonte Alegri dhe kishin shumë kampionë në ekip që bënin diferencën. Në fund u shpallën kampionë.

Bogdani vs Milan

Ju keni luajtur me Çezenën, por edhe me Sienën. Cilën nga ato eksperienca kujtoni me më shumë kënaqësi?

I kujtoj të dyja me kënaqësi. Me Sienën shënova 11 gola në sezonin tim të parë dhe më kujtohet që bëmë një kampionat të shkëlqyer. Ishim shumë të fortë: luaja në sulm me Kiezën dhe Lokatelin, ndërsa në mbrojtje ishin Koloneze e Portanova, Legrotalje dhe Tudor. Në mesfushë Vergasola dhe D’Aversa. Kishim skuadrën e duhur për të përjetuar gëzime të mëdha.
konte

Po te Çezena?

U transferova aty kur skuadra fitoi kampionatin në Serinë B. Vitin e parë të gjithë e kritikuan presidentin për merkaton që kishte bërë, por ne atë sezon ishim surpriza e kampionatit. Luanim edhe një futboll të bukur madje. Kishim një skuadër me shumë të rinj, por edhe me lojtarë ekspertë, si Antonioli në portë, unë në sulm dhe Xhakerini, Skeloto, Parolo, Koluçi, Nagatomo. Nga ai ekip u promovuan shumë të rinj.

Është e vërtetë që Konte ju pyeste gjithnjë për Xhakerinin?

Po, është e vërtetë. Unë dhe Antonio kemi pasur raporte shumë të mira që nga koha kur ishim bashkë te Siena në sezonin 2005-2006. Konte ishte zëvendësi i De Kanios. Kuptohej që atëherë që do të bëhej një trajner i madh sepse ishte shumë i përgatitur dhe u kushtonte vëmendje të madhe detajeve. Atë vit ishte zëvendës, por mendonte dhe sillej si trajner i parë. Nuk më surprizoi suksesi që arriti me Juven më pas. Kur Konte u bë trajner i parë i Sienës në sezonin 2020-2011, më kërkonte vazhdimisht informacione për Xhakerinin. E konsideronte lojtar të rëndësishëm dhe më vjen mirë që Xhakerini bëri gjëra të rëndësishme me Juven dhe Kombëtaren.

Gjatë karrierës suaj ju keni sfiduar edhe Kristiano Ronaldon. Çfarë mbani mend?

Herën e parë që jam ndeshur me të, ka qenë ndeshja mes kombëtareve, e luajtur në Portugali. Në pjesën e parë Ronaldo bëri disa nga numrat e tij dhe detyroi një mbrojtësin tonë të merrte të verdhë shpejt. Pas 6 minutash e detyroi atë të merrte edhe të verdhin e dytë dhe ne mbetëm me 10 lojtarë që në pjesën e parë. Ishte një mbrëmje e çmendur sepse në fund ne barazuam 0-0. Portugalia krijoi shumë raste, goditi disa herë shtyllën, por nuk na shënoi dot.
unnamed (1)

Pastaj më kujtohet një ndeshje tjetër mes kombëtareve në Tiranë dhe u përballëm sërish aty. Madje, i kam shënuar edhe gol Portugalisë në atë ndeshje, por na mundën në fund me rezultatin 2-1 me një gol të shënuar nga Bruno Alvesh në minutën e 93-të. Ai është i jashtëzakonshëm dhe për këtë flasin numrat.

Për mendimin tim, Ronaldo dhe Mesi janë unikë, ata janë krejt ndryshe dhe më pas është pjesa tjetër që thjesht frymëzohen prej tyre. Të vetmit që mund të ndryshojnë fatin e një ndeshjeje në çdo moment. Shpresoj që të luajnë sa më gjatë, sepse për të parë dy të tjerë si ata do të duhet të kalojnë shumë vite…
roma
Në karrierën tuaj a keni qenë ndonjëherë afër ndonjë skuadre të madhe?

Po, kam qenë shumë pranë Romës në vitin 2007. Drejtori Sartori më pati thënë që mund të shkoja aty dhe ishte një gëzim i madh për mua, por në fund transferimi nuk u realizua.

Pse?

Sepse prisja që Shabani Nonda të ikte dhe unë të zija vendin e tij. Ai nuk u transferua dot te Gallatasaraji dhe gjithçka u prish 30 minuta para mbylljes së merkatos. E konsideroj Romën një skuadër të madhe, sepse në ato vite luftonte për titullin.

Kumbulla5

Meqë përmendët Romën, ju e njihni mirë Kumbullën. Deri ku mund të mbërrijë ai djalosh?

Kur isha trajner i Kombëtares U-19, shkova në Veronë të flisja me Kumbullën që luante me të rinjtë e Veronës. Ai, për fat të keq, nuk luajti në atë ndeshje sepse ishte i dëmtuar, por fola me drejtorin sportiv të tyre dhe trajnerin. Me mua ka luajtur disa ndeshje te Kombëtarja U-19, edhe pse ishte nën moshë. Ai ka pasur një rritje të pabesueshme gjatë viteve të fundit dhe të mendosh që nuk ka luajtur asnjëherë në Serinë B. Sezonin e kaluar shkëlqeu me Veronën dhe tani po ia del mjaft mirë te Roma. Ta kesh atë në fushë të jep besim dhe duket më i madh për moshën që ka.
laktii
Ju keni trajnuar disa të rinj te Shqipëria. Kush mund të luajë tjetër në Serinë A?

Erald Lakti, djalosh i datëlindjes 2000, i cili është edhe kapiten i të rinjve të Fiorentinës. Klubi e ka dhënë në huazim, por ka cilësi të mira për të qenë një “xhol” në mesfushë, sepse luan si anësor, qendror dhe fantazist. Di të veprojë mirë kur e ka topin në këmbë.

Kur vendosët të bëheshit futbollist?

Kur isha 10 vjeç. Një trajner më pikasi dhe më ftoi të bëhesha pjesë e të rinjve të Partizanit. Shkova dhe gradualisht arrita deri te Shpresat e Shqipërisë. Ishte një moment më pas kur shumë lojtarë u larguan nga Kombëtarja dhe u krijua hapësirë për mua.

Luftërat ballkanike a e kanë kushtëzuar karrierën tuaj?

Ka pasur një moment të vështirë në Shqipëri nga viti 1995 deri në vitin 1999, por unë jetoja në Tiranë. Lufta ishte mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa ne ishim më të qetë, ndonëse patëm probleme. M’u desh të transferohesha te Dinamoja e Zagrebit në kampionatin kroat, që ishte shumë i ndjekur nga menaxherët e klubeve italiane dhe gjermane. Më pas erdhi një telefonatë nga Rexhina që kërkonte një sulmues dhe unë arrita të transferohesha në ditën e fundit të merkatos. E njihja Italinë edhe më parë sepse kisha qenë në Romë, Milano dhe Xhenova. Në Shqipëri futbolli italian ndiqet shumë.

Talenti i fundit që është transferuar nga Dinamoja e Zagrebit është Amer Gjoka që e mori Torinoja. Ç’mendim keni për të?

Është një lojtar i talentuar, por kur të huajt vijnë në Itali, duhet t’u japësh pak kohë.

Cilët kanë qenë mbrojtësit më të vështirë për ty?

Duhet të citoj një grup mbrojtësish, jo vetëm një. Mbaj mend që ishte shumë e vështirë kundër Nestës dhe Maldinit, Stamit, Kanavaros, Turamit, Kordobës dhe Samuelit. Ishin të gjithë mbrojtës shumë të fortë dhe me eksperiencë ndërkombëtare. Kishin fituar të gjithë shumë trofe.

bogdani

Ju jeni diplomuar në ekonomi. Pse zgjodhët këtë degë?

I kam kryer studimet gjatë kohës që luaja futboll. Në Itali mjafton të paguash taksat dhe shkon i jep provimet kur të kesh kohë, ndërkohë që në Shqipëri është ndryshe sepse duhet të studiosh gjithë kohën. Unë kam pasur gjithnjë një raport të mirë me shkollën sepse vija nga një familje profesorësh: babai ka qenë profesor matematike, ndërsa nëna profesoreshë historie. Zgjodha Ekonomikun, sepse më pëlqente matematika. Kur mbarova studimet, nisa punën për trajner dhe ia dola me sukses të marr të gjitha licencat. Deri tani diploma e Ekonomikut nuk më ka shërbyer për asgjë, por në jetë nuk i dihet kurrë.

Erjon, ku jeton sot?

Jetoj në Salerno, por shumë shpesh shkoj në Shqipëri. Pas pandemisë nuk kam mundur të shkoj më në Tiranë dhe u bënë tetë muaj. Unë dhe bashkëshortja kemi 2 fëmijë, një djalë 9 vjeç dhe një vajzë një vjeç e gjysmë. Më mungon familja ime dhe vendi im. Shpresoj që kjo periudhë e keqe të kalojë sa më shpejt. Situata po rëndohet shumë dhe shpresojmë që ta mundim këtë virus që ka trazuar jetët tona dhe të fëmijëve tanë. Duhet të bëjmë sakrifica nëse duam ta kalojmë këtë moment shpejt.

Marrë nga “Il Posticipo.it”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"