“Më pëlqen sulmuesi i Bylisit”, trajneri Arbëri insiston për… goditje “big” në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 17, 2023 | 0:03

“Më pëlqen sulmuesi i Bylisit”, trajneri Arbëri insiston për… goditje “big” në merkato

Tomori i është përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme Klodian Arbërit, duke shënuar 5 gola në miqësoren e një jave më parë ndaj Albeptrolit. Pavarësisht këtij treguesi, trajneri insiston tek afrimi i dy sulmuesve.

Emini5

Ai mendon se përforcimet në këtë repart janë të domosdoshme, pasi do t’i japin edhe më shumë efektivitet skuadrës. Beratasit luajnë bukur dhe prodhojnë raste me bollëk, por shpërdoron pafund. Pasi nuk siguruan dot shërbimet e Lukas Kardosos (që pretendonte rrogë shumë të lartë) dhe Aldrit Oshafit (që nuk lihet i lirë nga Teuta), tekniku e ka hedhur vështrimin në Ballsh. Duke këmbëngulur në afrimin e të paktën një “bomberi”, Klodian Arbëri kërkon Serxhio Eminin. Sulmuesi anësor është në preferencat e beratasve dhe do të lëvizin çdo gur për ta marrë.

E megjithatë, transferimi i tij varet nga presidenti i Bylisit. Nëse Besnik Kapllaaj do të thotë “po”, atëherë mund të realizohet ky operacion merkatoje. Gjatë një deklarate të dhënë enkas për “Panorama Sport”, trajneri për këtë çështje thotë: “Është e vërtetë që skuadra më është përgjigjur mjaft mirë në miqësoren e Albpetrolit, duke shënuar me plot pesë gola.

Puna është se përtej kësaj ndeshjeje, mua më duhet të marr të gjitha masat në mënyrë që të jemi po kaq konkretë para portës kundërshtare gjatë gjithë fazës dytë. Pse jo dhe për të shfrytëzuar sa më mirë mundësinë që do të na jepet për në fazën ‘play off’. Nuk duam ta fshehim aspak, por do të jetë objektivi ynë primar në këtë kampionat. E kam thënë edhe më parë se kemi një organikë shumë cilësore, ndaj pse të mos e tentojmë ngjitjen.

Mirëpo, problemi ynë është se shpërdorojmë raste pafund. Ndaj vazhdoj të insistoj për afrimin e dy sulmuesve, por në rastin më të keq do të mjaftohesha me një të vetëm. Vazhdoj të kem kontakte me lojtarë të ndryshëm, por për momentin jam i fokusuar te Serxhio Emini. Do të më duhet të flas me presidentin Besnik Kapllanaj. E vlerësoj shumë dhe shpresojmë që të na japë një përgjigje pozitive”, u shpreh tekniku i skuadrës beratase.

EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"