“Më pëlqejnë sfidat, s’e prisja të bëhesha trajner i Aplolonisë”, Kolela: Ganezët do të vijnë, ju befasojmë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 1, 2020 | 20:40

“Më pëlqejnë sfidat, s’e prisja të bëhesha trajner i Aplolonisë”, Kolela: Ganezët do të vijnë, ju befasojmë

Erdhi në Shqipëri si drejtor teknik, por përfundoi trajner. Është kjo historia e Xhovani Kolelës, italianit që zëvendësoi Artan Mërgjyshin e larguar. Një muaj nga marrja e “timonit” të Apolonisë, 54-vjeçari ka një ide më të qartë jo vetëm për ekipin, por edhe për planet e së ardhmes. Në një intervistë ekskluzive të dhënë për “Panorama Sport” ai na rrëfen se nuk e kishte menduar kurrë që do të ishte në krye të pankinës, por tani po i shijon pa fund kjo aventurë.

KOLELA

Pas një përvoje të gjatë si trajner në Itali, vjen dhe eksperienca juaj e parë në Shqipëri. Pse zgjodhët Apoloninë?

Unë e njihja disi Shqipërinë. E kisha vizituar më herët, por nuk është se e njihja aq mirë. Ka qenë miku dhe menaxheri im, Elton Marini, personi që më sugjeroi dhe më orientoi drejt Apolonisë, ekipi i vendlindjes së Marinit.

Sa e njihnit më parë Apoloninë?

E njihja mjaftueshëm, pasi kisha ardhur edhe më parë në Fier, përmes ftesave të Marinit. Pra, nuk ka qenë mjedis i panjohur për mua, as Shqipëria dhe as Apolonia.

Si po ju duket Fieri dhe Shqipëria?

Shqipëria më pëlqen shumë! Është një vend i veçantë dhe mikpritës, sidomos Fieri, një qytet shumë i bukur dhe me njerëz që shpërndajnë mirësi, që janë shumë dashamirës ndaj meje dhe kjo gjë më ka bërë të ndihem si në vendin tim. Po, jam ambientuar dhe ndihem jashtëzakonisht mirë këtu.

Erdhët si drejtor teknik, por tani jeni kryetrajner. Ishit përgatitur për këtë gjë?

Absolutisht që nuk isha përgatitur për këtë gjë. Presidenti i kishte besuar trajnerit të mëparshëm dhe kishte bërë shumë mirë, por pastaj gjërat ndryshuan dhe m’u kërkua që të isha unë trajner i skuadrës. Unë jam në dispozicion të klubit dhe nuk mund të thosha “jo” për një ofertë që është brenda profesionit tim.

Kampionat i ri në një shtet të huaj dhe për më tepër që është hera juaj e parë që drejtoni një ekip në elitë. Si e parashikoni këtë sfidë?

Është një përvojë e re, e bukur, e vështirë, por edhe joshëse për mua. Nuk i trembem asgjëje. Sfidat prandaj janë, për t’u provuar dhe unë jam një person kërkues, që vëzhgoj, studioj, që mësoj dhe përshtatem shpejt. Asnjëherë sfidat nuk janë të lehta, sidomos në mjedise të reja, por gjërat ecin mirë kur gjithçka vendoset në shinat e duhura, në të gjithë komponentët.

Si ju duket futbolli shqiptar?

Ka një progres që nuk e mohon dot. Rritje e nivelit është në tërësi, ka nisur me prezantimin e ekipeve shqiptare në Kupat e Europës apo dhe ekipeve kombëtare, sidomos të U-21 të Shqipërisë. Te Shpresat kemi edhe ne 3 lojtarë nga Apolonia.lACI aPOLONIA

Ndalemi tek Apolonia. Si e gjykoni gjendjen aktuale të kësaj skuadre? Ekipi është shumë i ri në moshë, por me cilësi të shkëlqyera. 

Lojtarët po përshtaten me kërkesat tona, me gjëra të reja dhe metoda të ndryshme dhe punojnë me shumë përkushtim. Gatishmëria e tyre është premtuese për të bërë atë që duhet edhe në kampionat.

Për çfarë ka nevojë Apolonia juaj?

Asgjë e veçantë, por shumë e thjeshtë: skuadra ka nevojë të punojë dhe të besojë fort në cilësitë e veta, të cilat nuk i mungojnë.

Merkato po mbyllet dhe 4 futbollistët nga Gana nuk po vijnë. Me sa dini ju, çfarë po ndodh me ta?

Do të vijnë patjetër! Ata do të jenë pjesë jona, është thjesht vonesë për procedurë, për çështje dokumentesh, gjë që zgjidhet shpejt dhe të katër futbollistët në fjalë do të jenë tanët, besoj.

Nëse dështon ardhja e tyre, a e keni organikën e duhur në skuadër, për të bërë një kampionat dinjitoz?

Ata do të vijnë!

Pas humbjes në miqësoren me Elbasanin, jeni shprehur: “Merkatoja nuk më intereson fare, është pjesë e klubit”. Ju vërtet e shihni veten të shkëputur nga përforcimet?

Jo, nuk e shoh veten të shkëputur. Unë flas me klubin çdo ditë dhe klubi e di se çfarë mendoj unë. Por nuk po flas për këtë, të gjithë kanë detyrat e tyre. Mendoj se duke folur gjithmonë për tregun e transferimeve, i bën lojtarët e mi aktualë të ndihen më pak të rëndësishëm, të ndihen nën presion dhe kështu që mund të mos japin më të mirën. Qëllimi im në atë deklaratë ka qenë për të thënë që unë besoj fort dhe shoh grupin që kam, sepse lojtarët aktualë kanë nevojë për besim, për kurajo dhe mobilizim, ndaj dhe puna ime është që ta bëj diçka të tillë dhe t’i përmirësoj ata. Ky ka qenë thelbi i asaj deklarate pas miqësores me Elbasanin dhe mendoj se nuk është kuptuar siç duhet në publik.SKENDERBEU APOLONIA

Apolonia vjen pas 5 vjetësh në elitë. Gjer ku mund të shkojë kjo skuadër nën drejtimin tuaj në këtë kategori?

Unë mendoj se me përkushtimin, punën dhe besimin e duhur, me profesionalizmin total të skuadrës, mund të arrijmë në nivele ku askush nuk e mendon dot. Por, që janë të mundshme për ne, nëse do të bëjmë mirë atë që duhet.

Cila është motoja që e udhëheq Kolelën?

Disiplinë, punë, përkushtim, besim.

Sa i shërben bojkoti Apolonisë dhe futbollit shqiptar në tërësi?

Them se është e drejtë që klubet të përpiqen të përmirësohen. Për të shkuar një hap më tej, duhet që t’u krijohen kushtet e duhura. Kështu rritet edhe cilësia e këtij sporti.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"