“Me Partizanin na mungoi finalizimi, ndaj Laçit ekipi duhet të kthehet te fitorja”, Vila: Ja si Teuta shkon tek titulli

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 23, 2021 | 19:01

“Me Partizanin na mungoi finalizimi, ndaj Laçit ekipi duhet të kthehet te fitorja”, Vila: Ja si Teuta shkon tek titulli

Teuta nuk shkoi më shumë se një pikë në ndeshjen e javës së 25-të ndaj Partizanit. Të besuarit e trajnerit Edi Martini, edhe pse dominuan më së shumti në 45 minuta e dyta, nuk arritën të zhbllokonin sfidën, duke u larguar nga fusha me vetëm 1 pikë. Sulmuesi i Teutës, Lorenco Vila, nuk e fshehu dot zhgënjimin pas barazimit 0-0 me të kuqtë në Elbasan. Për “Panorama Sport”, Vila theksoi se Teuta duhet të luajë atë lojë që ka bërë deri më tani dhe suksesi do të vijë. Sipas Vilës, në Durrës janë të fokusuar vetëm te vetja dhe jo te ajo çfarë bëjnë kundërshtarët.

lorenco vila

Lorenco, çfarë nuk shkoi te Teuta ndaj Partizanit?

Me Partizanin e dinim që ishte ndeshje e vështire, pasi ata vinin pas eliminimit nga Kupa në Laç dhe me moral jo të mirë. Pavarësisht të gjithave, ne e dominuam. Unë mendoj që kemi pasur raste të pastra, sidomos në pjesën e dytë. E kishim përgatitur mirë, por nuk finalizuam. Nuk do të qahemi, se nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Kur kërkon të presosh lart dhe kundërshtari të luan poshtë, edhe mund të gabosh.

Sa i kënaqur jeni në aspektin personal me atë çfarë dhatë në fushë?

Aspekti im personal varet edhe nga rezultati i ekipit. Unë mundohem të zbatoj detyrat e mia në fushën e lojës, pastaj janë të tjerë ata që e vlerësojnë. Do të isha i plotësuar nëse do të dilnim me tri pikë nga ajo ndeshje me Partizanin.

Në vijim përballeni me Laçin. Çfarë ndeshjeje parashikoni?

Të arrijmë rezultat pozitiv, të fitojmë ndeshjen. Normalisht do të jetë një takim i vështirë, por do ta analizojmë me kujdes së bashku me stafin, aq më shumë që kemi kohë për ta përgatitur këtë sfidë. Do t’i japim kurajë dhe mbështetje njëri-tjetrit dhe stafit për të arritur objektivin dhe për të fituar ndeshjen.

Laçin e shikoni si rival të Teutës deri në fund për kreun, apo mendoni se ju e keni garën për trofe me të tjera klube?

Duke parë ecurinë që kanë bërë, pse jo. Dua të them se për momentin jemi të fokusuar te vetja jonë, në mënyrë që të kthehemi te fitorja. Për titullin dhe për objektiva sezonalë të Teutës ka ende kohë. Do të jetë fusha e lojës ajo që do tregojë gjithçka.

Me sa gola do të ishit i kënaqur të mbyllnit këtë sezon?

Përkohësisht dua të fitojë ekipi dhe të marrim maksimumin në çdo ndeshje, më pas do mendoj për rekordin tim personal. Nuk dua të flas para kohe, rëndësi ka të shënoj sa më shumë dhe të arrijmë objektivat si klub.

Si e shikoni kampionatin aktual dhe a jeni i bindur se kjo Teutë mund të jetë një hap para rivalëve për titull?

Ne do të luajmë futbollin që dimë të bëjmë dhe do të japim maksimumin në çdo ndeshje. Ne jemi të qartë dhe e dimë shumë mirë se çfarë force kemi, cilët jemi dhe çfarë do të bëjmë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"