“Me Partizanin na kënaq edhe…”, drejtori Xhafa: Ju tregoj si u rindërtua Erzeni në pak ditë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 9, 2022 | 20:58

“Me Partizanin na kënaq edhe…”, drejtori Xhafa: Ju tregoj si u rindërtua Erzeni në pak ditë

Nga rreziku për ekzistencën te pesë pikë të grumbulluara në tri javët e para të kampionatit. Erzeni është një histori më vete në këtë fillim sezoni, pasi përtej problematikave të mëdha që pati në organizim, sërish ia doli të ndërtojë një skuadër nga e para në kohë rekord.

Ervis Xhafa

Shijakasit kishin 19 vite pa marrë pjesë në Superiore dhe e nisën me një fitore spektakolare ndaj Vllaznisë. Por çfarë ndodhi dhe si u riorganizua klubi? Për “Panorama Sport”, ka folur ekskluzivisht drejtori i përgjithshëm i Erzenit, Ervis Xhafa, i cili zbërthen gjithçka lidhur me klubin, si dhe komenton sfidën ndaj Partizanit.

Si u arrit që këta lojtarë në kaq pak kohë të grumbulluar bashkë të njihen aq mirë me njëri-tjetrin dhe të bëjnë lojë bindëse?

E nisëm në një moment delikat, pak me vonesë dhe u munduam të bëjmë një riorganizim ku fillimisht afruam stafin teknik. Dua t’i përmend pasi si trajneri Xhevahir Kapllanaj, ashtu edhe zëvendësi i tij, Alfred Deliallisi, kanë qenë ish-futbollistë të Erzenit dhe e njohin shumë mirë ambientin sportiv të këtushëm. Janë një dyshe e re, ambicioze, profesionale dhe me dëshirën për të vendosur emrin e tyre në kampionatin shqiptar dhe për të na ndihmuar ne të realizojmë objektivat tanë.

Merita të padiskutueshme ka miku ynë, presidenti i parë i Erzenit, Fundim Dollaku, që është dhe ideator strukturimit të klubit. Pikë shumë e fortë jona, janë çunat e Shijakut, që në momentet decizive u gjendën pranë klubit të tyre të zemrës, Erzenit.

Sponsorizimet nga djemtë tanë të mrekullueshëm, bënë që ekipi jo vetëm të ndërtohej në kohë rekord, por edhe të afronim lojtarë cilësorë. Kemi zgjedhur lojtarë me grintë të lartë sportive, me zell, pasion, dëshirë dhe me eksperiencë në ekipet ku kanë luajtur, gjë e cila i ka ndihmuar në përshtatjen e shpejtë me njëri-tjetrin.

Ndaj Teutës iu mohua një gol Erzenit, por kishit pretendime edhe më parë në ndeshjen me Kastriotin…

Anësori gaboi edhe në dy raste të tjera para anulimit të atij goli të rregullt. Ndërsa ndeshja me Kastriotin kishte një fytyrë tjetër. Duhej të ishte arbitër me stemën e UEFA-s, detaj që nuk duhet të përsëritet me në atë stadium, pavarësisht se me kë luan Kastrioti. Përveç se na u mohua një penallti, pati shumë tension si ndeshje dhe mendoj që e mira e këtij kampionati është të prodhojmë futboll të bukur, cilësor dhe “fair play”, pa tensione dhe presione.

Cili është objektivi real i ekipit këtë sezon?

Për sa u përket objektivave të ekipit, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Qëndrimi në Superiore është objektivi kryesor. Vendi 5-6 do të ishte ideal për ne. Për Kupën do të dëshiroja shumë të preknim gjysmëfinalen. Fitimi i Kupës është në kuadrin e një ëndrre.

Të dielën luani ndaj Partizanit, çfarë prisni?

Do të jetë një ndeshje e vështirë ndaj Partizanit, që për momentin kryeson renditjen, duke marrë vetëm fitore në këto javë. Ne e dimë forcën e tyre. Një barazim tjetër do të na kënaqte, fitorja do të ishte surpriza më e bukur.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"