“Me Partizanin kapim finalen”, presidenti Noka sheh kualifikimin: “Elbasan Arena” do na sjellë… fat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 11, 2020 | 10:15

“Me Partizanin kapim finalen”, presidenti Noka sheh kualifikimin: “Elbasan Arena” do na sjellë… fat

Besëlidhja beson te kualifikimi në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë. Dhe me të drejtë, derisa e mposhtën në shifrat 3-0 Partizanin. E megjithatë, e lehtë nuk do të jetë përballë kampionëve në fuqi të Shqipërisë. Është presidenti Gjok Noka që mundohet të mobilizojë lojtarët para këtij dueli, me një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”.

gjok noka

Historia ka dëshmuar se gjithçka mund të ndodhë, ndaj do tentojnë që edhe këtë vit të përsërisin suksesin. “Ne objektivat madhorë i kemi përqendruar në kampionat. Hymë bindshëm në merkaton e verës dhe kryem një fazë intensive përgatitore për këtë qëllim.

Së bashku me trajnerin Elvis Plori ndërtuam një skuadër me mentalitet kampioni. Edhe pse momentalisht ne renditemi në vend të dytë, jam mjaft i kënaqur me skuadrën dhe stafin teknik. Kjo skuadër, pas përforcimeve që bëmë në janar, mund të them  që është e pandalshme”, kështu e nisi fjalën e tij presidenti, duke i dhënë besim të plotë edhe shkodranit të stolit lezhjan.

 STADIUMI

Ai e quan shans faktin që përballë kishin Partizanin, pasi u erdhi mundësia që të tregonin forcën e vërtetë që Besëlidhja ka. Numri një i klubit të lezhjaneve shpreson që edhe stadiumi t’u sjellë fat. Kujton se edhe para dy sezoneve, në “Elbasan Arena” eliminuan Flamurtarin.

Elbasan Arena]

“Shorti na dha mundësinë që t’i provojmë forcat me Partizanin, që është edhe skuadra kampione në fuqi. Jam mjaft i kënaqur, jo vetëm për fitoren e thellë që na jep shanse kualifikimi, por edhe për faktin se doli në pah Besëlidhja e vërtetë, për të cilën kemi punuar. Fitorja 3-0 është një rezultat që na detyron të pretendojmë për kualifikim. Ndeshja është caktuar të zhvillohet në ‘Elbasan Arena’ dhe distanca nuk është e vogël për ne.

Kjo na detyron të udhëtojmë që të martën pasdite drejt Elbasanit. Shpresoj që ajo fushë të na dhurojë fat, sikurse dy sezone më parë. Nëse do të eliminojmë Partizanin, jam i bindur se vetëm në finale do të ndalemi.

Duke mos lënë pas dore këtë ndeshje të madhe, vëmendjen e kemi edhe te ndeshja e fundjavës për kampionat. Sikurse e theksova edhe më lart, aty i kemi objektivat dhe po e vlerësojmë maksimalisht. Duke përfunduar, dua t’i uroj fat suksese kundërshtarit dhe stafit të tyre, në realizimin e objektivave që kanë”, përfundoi Noka.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"