“Më ndaluan në kufi, sepse kujtonin se isha kineze”, Kondo: Sigurimi na mohoi orët dhuratë, qamë pas ndeshjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2021 | 21:27

“Më ndaluan në kufi, sepse kujtonin se isha kineze”, Kondo: Sigurimi na mohoi orët dhuratë, qamë pas ndeshjes

Urani Kondo ishte ndër lojtaret kryesore të atij grupi dhe forma cioni legjendar, që mundi të merrte kualifikimin historik e të paharruar në volejbollin e vajzave në pjesëmarrjen e parë në Kupën e Kampioneve me klube.

kONDO LOGO

Urani Kondo duke rrëfyer për “Panorama Sport”

“Luaja me Studentin, por 17 Nëntori më merrte si përforcim. Në Turqi, pas ndeshjes, presidenti i Fenerbahçes na dhuroi nga një orë dore, por na i mori shoqëruesi. ‘Nuk pranojmë dhurata’, na tha. Kemi qarë”, thotë Kondo në intervistën për “Panorama Sport”.

Si nisi ajo aventurë, e pamenduar nga askush?

U grumbulluam një muaj para takimit, në Shtëpinë Qendrore. Zhvillonim stërvitje në mëngjes, në mesditë te parku i Xha Tomit dhe shumë pak në pallatin e sportit “Partizani”. Isha e dashuruar. Mendoni, një muaj grumbullim. As Vitin e Ri nuk na lejuan ta kalonim në shtëpi. Vetëm Pelingut, si e fejuar, i dhanë leje të shkonte në Shkodër.

Ishit me Studentin, por ju mori Tirana. A lejohej një lëvizje e tillë?

Në kampionat luanim me skuadrat tona, por për të forcuar ekipet në takime ndërkombëtare, si përforcim merrnin lojtarë nga klubet e tjera. Nga Studenti isha unë, Azemi, Foto, Pelingu nga Vllaznia e Qato nga Tomori. Lejohej apo jo, na federuan dhe nuk pati reagime nga kundërshtarët. As u interesuan.

kONDO-AZEMI-HOTI LOGO

Nga e majta: Hoti, Azemi, Kondo (Foto arkiv MQB)

Në njëfarë mënyre kjo ishte edhe Kombëtarja, apo jo?

Pak a shumë këto ishin lojtaret që përbënin në atë kohë skuadrën kombëtare. Por, me sa më kujtohet, ky ishte takimi i parë zyrtar i një ekipi vajzash në arenën ndërkombëtare. Nga 1949, nuk ishte luajtur as me Kombëtare, as me klube.

Vinit nga Vlora me traditë në volejboll për vajza…

Volejbolliste më bëri Vllac Opingari. 13 vjeçe isha me të rejat e Flamurtarit. Me të rriturat dolëm kampion në 1965. Kujtoj se na dhanë një këmishë, një stilolaps, pa asnjë trajtim, asgjë. Erdha në Tiranë në ILKF dhe si universitare u aktivizova me Studentin.

Kishim skuadër të mirë, me disa trofe të fituar, por në atë kohë në volejbollin tonë, ende nuk ishin futur elemente teknike të nivelit bashkëkohor, si blloku, pritja, shërbimi modern etj.

Ju kujtohet ndeshja, si ishte vendosja në fushë?

Një ditë para ishim të ftuar në Ambasadën Turke. Pastaj ndeshja, në një pallat sporti të mbushur, plot entuziazëm. Fahrija luante në pozicionin 4, unë në 2. Të dyja shutere. Vera Verria dhe Zana Vako ishin pasuese. Me to Sasha, një pasuese shumë e mirë edhe kjo. Kujtoj se Rajmonda Bytyçi sapo kishte lindur vajzën, as një muaj nuk kishte. Luajti në Tiranë, erdhi edhe në Stamboll.

Pati një darkë të veçantë pas takimit në hotel “Dajti”… Mund të na thoni diçka rreth kësaj?

Pas ndeshjes, në sallën e madhe të hotel “Dajtit” u organizua një darkë. Përballë kisha një lojtare turke, që në një moment më thotë: “Kur të vini në Stamboll, do të të marr në shtëpinë time”. Për të ngrënë na kishin përgatitur peshk qefull në tjegull. Njërës nga lojtaret turke i pëlqeu dhe i thotë Verës: “Dua edhe një tjetër”. “Jo, – iu përgjigj Vera. – S’ka më”.

Niseni për në Turqi, por ka probleme në kufi për ju. Pse?

U nisëm të enjten. Veç shoferëve ishte dhe Xhoda (shoqëruesi). Pas një jave, të enjten pasardhëse u kthyem. Udhëtimi me autobus, i gjatë, pa fund. Në kufi me Jugosllavinë na ndaluan me orë. “Kjo nuk është shqiptare, por kineze”, thoshin doganierët për mua.

Qëndruam një natë në Sofje. Dëbora ishte deri në gju. Pastaj në Turqi. Stamboll, hera e parë që dilnim jashtë. Në dhomë kam fjetur me Sashën. Fenerbahçen e sponsorizonte Myslym Beu me origjinë shqiptare. Na shoqëronte me veturën e tij. Një javë në Stamboll. Pamë edhe Kishën e Shën Sofisë.

Pastaj ndeshja. E vështirë, me laps në dorë?

Një natë përpara zhvilluam stërvitje në një kënd sportiv dërrase të prishur, ku u zhvillua edhe ndeshja. Ndeshja u luajt në mesditë. U habitëm që në Stamboll do të luhej në një mjedis të tillë. Humbën dy setet e para dhe në të tretin duhet të merrnim 11 pikë për t’u kualifikuar.

Pra, me laps në dorë. Nuk ishte e lehtë, se edhe turket bënin llogaritë e tyre. Luajtëm mirë dhe pasi bëmë pikën e 11-të, atë të kualifikimit, morëm setin. Pastaj morëm dhe ndeshjen, sepse kundërshtari ishte i demoralizuar.

Kishte argëtim, kërcime festime pa fund?

Pas ndeshjes u organizua një darkë e madhe në një lokal buzë detit. Shkuam me tuta. Ashtu udhëtuam edhe vajtje-ardhje. Turket të gjitha me dekolte. Një oxhak i madh ku piqej mishi, kërcimtarë, balerina, këngëtare. Pasi mbaroi darka, na bënë dhurata copa stofi për funde dhe nga një pulovër. Kur shkuam në hotel, në holl vjen Myslym Beu dhe i thotë Enver Maçit, përgjegjësit të ekipit: “I dua vajzat poshtë”.

Një surprizë ju priste apo jo?

Zbritëm në holl. Ai na kishte përgatitur nga një dhuratë. Shkuam në dhomë, e hapëm. Ishte një orë dore. U gëzuam. Kur pas pak bie dera. Ishte Xhevdeti, shoqëruesi: “Nuk duhet t’i merrnit. Urgjentisht dorëzoni orët”. I kishim vendosur nën jastëk. I nxorëm dhe ia dhamë. Fahria dhe Vera nuk i dorëzuan. “Nuk është e lejuar. Dhuratat nuk pranohen”, na tha Xhevdeti kur na i mori. Kemi qarë për ato orë.

Niseni. Në kthim ju pret ministri i Arsimit…

Kur u nisëm për në Shqipëri, na i mbushën çantat dhe autobusin me ushqime. Çdo gjë të paketuar deri edhe frutat t’i kishim për tri ditë rrugë. Në Bullgari na dhanë leva (paraja vendëse). Aty blemë nga një palë këpucë. Në Tiranë kemi mbërritur në mesnatë. Kishin dalë për të na pritur ministri i Arsimit, Thoma Deliana, me punonjësit e ministrisë. Të nesërmen shtruan një darkë të madhe.

Dy fjalë nga diplomimi, refuzimi dhe njohja…

Më 1970 mbarova ILKF-në dhe donin të më mbanin pedagoge. Por jo, nuk pranonte Vlora. U ktheva në qytetin tim dhe 4 muaj luajta me Flamurtarin. Ndërkohë, isha njohur me bashkëshortin, Agim Çeliku, tiranas autokton, tifoz i zjarrtë sporti. U miqësuam në mbrëmjet e rinisë në Tiranë. Kërcenim bashkë dhe nuk u ndamë. Sa herë luante Flamurtari në Tiranë, takoheshim.

Ju merr 17 Nëntori dhe jeni titullare me këtë skuadër…

Në 1970 u martova. Vjen Lame Konomi bashkë me Fahrijen në shtëpi. Kishin një kuti të madhe me vete. Brenda, disa copa për kostum, këpucë. Kjo, për të më joshur të vija në Tiranë. Bashkë me ta edhe Agimi, se më kërkonte. Isha 26 vjeçe. Erdha në Tiranë dhe luajta 3 vite me 17 Nëntorin. Kujtoj trajnerin Thoma Kuke. Kam bërë shërbim me hark, pastaj shërbim ballor.

Planzhoni nuk njihej. Gjunjët e operuar, me proteza i kam ende. Luaja dhe shkoja në punë. Mësuese e edukimit fizik në gjimnazin “50-vjetori” për 12 vite rresht. Më pas punova për 14 vite në Shkollën Pedagogjike.

Nga UVIL ZAJMI

LEXO EDHE: 

Kualifikimet e mëdha në diktaturë, kur 17 Nëntori shkruante historinë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"