Me mungesa në Cërrik, Dalipi: Jemi të dënuar për të fituar, uroj të ketë “fair play”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2023 | 9:17

Me mungesa në Cërrik, Dalipi: Jemi të dënuar për të fituar, uroj të ketë “fair play”

Lushnja është gati për Turbinën, ndeshje që luhet e gjitha për mbijetesë. Ndonëse në transfertë fitorja është detyrim. Vetëm ky rezultat do t’i jepte shpresa për të shpëtuar sezonin dhe në kampin verdhejeshil e dinë mirë këtë.Klevis DalipiNdonëse udhëtojnë me mungesa, misioni nuk ndryshon. Elis Doksani, Ergys Alushi dhe Dejan Andoni nuk do të luajnë për arsye dëmtimi, por Klevis Dalipi e ka gjetur zgjidhjen me 11-shen. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri analizon situatën ku ndodhet skuadra e tij. Ai e di që vetëm një trepikësh nuk do t’i shpëtonte, ndaj fundin e kësaj gare e pret plot vuajtje.

“Ndeshje shumë delikate. Nëse kaluam një provë të vështirë me Korabin, kjo është edhe më shumë. Ne e dimë shumë mirë. Jo vetëm unë që jam trajneri, por i gjithë klubi e lojtarët. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për situatën që po kalojmë. Jemi para një fakti që të gjitha ndeshjet duhen fituar dhe trajtuar si finale. Jemi të dënuar për t’i fituar. Prandaj them që do të ketë vlerësim dhe impenjim maksimal, luftë nga ana jonë. Uroj dhe kam shumë besim, tek ajo fushë, aq më tepër që është afër qytetin tim. Le të fitojë futbolli. Këtë uroj edhe unë gjithmonë. Ne jemi profesionistë nuk mund të pranojmë gjëra të tjera në kuptimin që një ndeshje duhet të jetë ‘fair’. Jo vetëm nga futbollistët, por edhe nga të pranishmit në stadium. Kam besim që edhe ata janë njerëz që e pëlqejnë futbollin e bukur. Uroj të shkojë çdo gjë ‘fair’. Kjo është dëshira ime për këtë ndeshje. Ndërsa në aspektin teknik, sigurisht që java ka kaluar mirë. Ndeshja me Korabin na dha qetësi, por vuajtja nuk ka mbaruar për ne. Ne jemi të dënuar për të vuajtur deri në finish të kësaj gare. Por jemi të përgatitur për ta përballur”, përfundoi numri një i pankinës verdhejeshile.

ALBAN ALUSHI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"