Me model Totin dhe Xherardin, rrëfimi pa doreza i kapitenit që la futbollin për… Amerikën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 14:11

Me model Totin dhe Xherardin, rrëfimi pa doreza i kapitenit që la futbollin për… Amerikën

Taulant Hysenshahaj, kapiteni i Apolonisë, i ka dhënë fund karrierës sportive në Shqipëri, pasi më 3 korrik shkon në Amerikë.

Apolonia

Me një buqetë lulesh në duar, shenjë respekti nga klubi, me emocione dhe përlotje, mesfushori 29- vjeçar shkeli për herë të fundit tapetin e “Loni Papuçiut” në ndeshjen ndaj Besës.  Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, Hysenshahaj rrëfehet “pa dorashka”.

Çfarë ka qenë Apolonia për Hysenshahajn?

Ka qenë dhe mbetet një familje e madhe. Është shumë e vështirë për mua, sepse më duket se po lë pas një pjesë të rëndësishme të shpirtit tim. Në këtë mjedis jam rritur aty, jam formuar si futbollist, jam larguar e jam rikthyer, sepse gjithmonë kam qenë i mirëpritur. Ndahem me dhimbje nga familja ime sportive.

E keni brengë faktin që s’merrni pjesë në ngritjen e trofeut?

Po, e kam brengë, do të doja të qëndroja ta shijoja trofeun. E mbajta fjalën, sepse Apoloninë po e lë gati të sigurt në ngjitjen drejt Superiores, 5 pikë më shumë se vendi i dytë 3 javë para fundit. Do të doja jo vetëm ta shijoja trofeun e Kategorisë së Parë, por të luaja edhe në Superiore me Apoloninë. Gjërat erdhën kësisoj dhe jam i detyruar të largohem, por ndihem i lumtur, sepse e mbajta fjalën.

Prej 7 sezonesh radhazi ishit pjesë e Apolonisë. Cilat kanë qenë pikat e forta dhe të dobëta të kësaj skuadre?

Shoh si anë pozitive ruajtjen e një grupi më të plotë, kontratat afatgjata, mosndryshimin e stafit që nisi sezonin, përzgjedhjen e lojtarëve të talentuar nga moshat etj. Negativ është largimi i lojtarëve me përvojë në një kohë jo të përshtatshme, skuadra e ka vuajtur jo pak këtë pjesë. Nuk është e gabuar ideja e një skuadre me lojtarë të rinj, por nuk konkurrohet në Superiore pa lojtarë eksperience. Apolonisë i duhen përforcime cilësore thuajse në çdo repart.

Ç’do të donit të merrnit me vete nga Shqipëria, a do ta vazhdoni futbollin?

Do të më mungojë “familja e dytë”, Apolonia, shokët, gëzimi i një fitoreje, dëshpërimi i një humbjeje, vullneti dhe forca për të vazhduar më tej. Për të ardhmen s’kam vendosur, kam 2-3 oferta për të luajtur në SHBA, por nuk e njoh mjedisin.

Si u ndie Hysenshahaj në ceremoninë-surprizë për largimin tuaj?

Nuk desha të tregoja për largimin, sepse jam tip i ndjeshëm, por “rrodhi” informacioni dhe ajo ceremoni është një mbresë e jashtëzakonshme për mua, vlerësim dhe mirënjohje që ia kthej shumëfish klubit.

Ia dorëzuat shiritin Sotës. Një këshillë për të?

Elioni është djalë dhe sportist shumë i mirë, ka arritur gjithçka falë seriozitetit në stërvitje. Këshilla e vetme është: “Vazhdo kështu, sepse e ardhmja jote është e ndritur dhe nesër mund të luash jashtë Shqipërisë!” E ka marrë rolin e liderit në moshë shumë të re dhe kjo është pozitive.

A keni një peng në karrierë?

Për Apoloninë si skuadër kam peng qëndrimin 5 sezone në të Parën. Në aspektin personal “pengu” lidhet me besnikërinë ndaj Apolonisë. Kam refuzuar oferta nga Kukësi kur luanim në Superiore apo dhe interesim nga Partizani e Luftëtari. Jam “partizan” i skuadrës, kam pasur modele Totin dhe Xherardin, të cilët s’e braktisën kurrë ekipin. Në Shqipëri do të luaja vetëm për Apoloninë.

Një mesazh para ngjitjes në shkallët e avionit?

Do t’i uroja sukses Apolonisë në Superiore, nuk dua të jetë një skuadër mbijetese, por kandidate për Kupat e Europës. E meriton Fieri dhe tradita e kësaj skuadre, tifozët e saj.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"