“Më mirë me tifozë në Shkodër”, Ilir Daja i sinqertë. Taipi dhe Muzaka i komplikojnë planet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2019 | 8:38

“Më mirë me tifozë në Shkodër”, Ilir Daja i sinqertë. Taipi dhe Muzaka i komplikojnë planet

Skënderbeu, pas fitores me Teutën, kërkon vijimësi në ndeshjen e radhës në kampionat, atë kundër Vllaznisë. Pavarësisht se sfida paraqitet në shkallë të lartë vështirësie për vetë faktin se do të luhet në transfertë, trajneri Ilir Daja karikon ekipin për të dhënë maksimumin në këtë takim, me qëllim që të dalin me pikë të plota dhe për të vijuar serinë e rezultateve pozitive. Daja thekson për “Panorama Sport” se beson te cilësia e ekipit dhe fakti që grupi po rritet nga ndeshja në ndeshje.daja

Daja, pas fitores me Teutën, si duket gjendja e ekipit në prag të kësaj ndeshje?

Përtej gjithçkaje, mund të themi se fitorja me Teutën na ka kthyer në rezultatet pozitive dhe kemi besimin që të ruajmë ritmin. Pas dy ndeshjesh jo të mira në aspektin e pikëve, erdhi ky rezultat për të çuar moralin e ekipit. Mund të them se një fitore e tillë sjell domosdoshmërinë për të vijuar me të tjera rezultate pozitive. Ekipi është i karikuar dhe në kushte të tilla mbetet që të japin më të mirën e tyre në këtë takim.

Gjithsesi, dëmtimet duket se kanë qenë pjesa më problematike e kësaj jave, apo jo?

Pa dyshim që po. Kemi vuajtur disi nga problemet që disa lojtarë kanë pasur këtë javë përgatitore. E kemi nisur me dëmtimin e Muzakës, për të vijuar më pas me problemet e tjera që na kanë detyruar të punojmë jo të plotë.

Duke marrë parasysh mungesat, si do të luajë Skënderbeu në Shkodër?

Mund të themi se kemi lënë pas një javë mjaft të rëndësishme përgatitjesh ku kemi mundur të rregullojmë aspektin e paraqitjeve. Jemi përpjekur të rregullojmë defektet që na kanë dalë një ndeshje më parë. E vërteta është se si Muzaka, ashtu edhe Taipi nuk ia kanë dalë për të qenë në dispozicion të ekipit dhe kjo na e bën disi më të komplikuar situatën. Të shohim se në çfarë gjendjeje do të jetë Asion Daja deri në momentin e ndeshjes për të na lënë më pas mundësinë e zgjedhjes nëse do të jetë në fushë apo jo.

Vllaznia ka shumë nevojë për pikë, a do të luani vetëm për fitore apo edhe barazimi ju kënaq?

Vllaznia është një kundërshtar që të imponon respekt dhe kjo nuk është një diçka që ndodh tani. Për shkak të historisë që ka ky klub, meriton respekt maksimal. Por nga ana tjetër, ne nuk shkojmë atje për të bërë llogaritë e ekipit kundërshtar. Ne duhet të japim maksimumin dhe më pas të shohim se çfarë do të mund të marrim nga kjo ndeshje.Ilir Daja

Fakti që do të luhet me tifozë, a është më mirë për ju apo jo?

Një ndeshje futbolli në tërësi luhet me praninë e tifozëve. Është një sport që pa mbështetjen e publikut, nuk ka kuptim. Për këtë unë jam gjithmonë i mendimit se dënimet e tifozërisë në masë totale janë jo të favorshme për lojën e futbollit. Besoj se do të jetë më mirë që në fushë do të luajnë dy ekipe dhe mbi të gjitha do të jenë tifozë të pranishëm.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"