“Me merkaton që kemi bërë besojmë te titulli”, Renato Arapi: Sulmi jonë është bërë i frikshëm, ja rivalët tanë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 29, 2020 | 22:39

“Me merkaton që kemi bërë besojmë te titulli”, Renato Arapi: Sulmi jonë është bërë i frikshëm, ja rivalët tanë

Teuta është gati për të nisur “luftën” dhe këtë vit e ka ndarë mendjen për të guxuar titullin. Në Durrës e dinë që nuk do ta kenë të thjeshtë, por asgjë nuk i pengon që të tentojnë. Një gjë të tillë e thotë edhe kapiteni Renato Arapi gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”. Mbrojtësi analizon me detaje përgatitjet dhe vështirësitë që kanë hasur gjatë kësaj faze, afrimet e bëra, por edhe kundërshtarët. Ai mendon se skuadrës i mungon vetëm një numër 10 dhe si rivalë zgjedh Tiranën, Partizanin e Laçin.
renato arapi
Pritjes me sa duket i erdhi fundi, futbolli mund të nisë së shpejti?
Shpresoj dhe besoj se do të jetë kështu. Në fakt, ka qenë një pritje e gjatë dhe e lodhshme, sidomos nga ana psikologjike.

Si ka qenë kjo periudhë me stërvitje të stërgjatë dhe pa ditur se kur do të luanit?
Ka qenë vërtet periudhe kaosi, nëse mund ta themi kështu. Lojtarë që nuk kishin motivimin e duhur për t’u stërvitur dhe trajnerët që s’dinin se si të programonin planin stërvitor. Shpresoj që shumë shpejt t’i kthehemi fushës së blertë.
Lici Skenderbeu
Sezoni për ju nis me Skënderbeun dhe Arapi ka një të shkuar të artë të korçarët, ju vjen keq që kundërshtari nuk është më ai i dekadës së fundit?
Sigurisht që më vjen shumë keq për situatën në të cilën ndodhet Skënderbeu këtë periudhë, por më duhet të them se janë një ekip që duhet vlerësuar maksimalisht. I kam ndjekur ndeshjet e tri miqësoreve, ndaj të mos i nënvlerësojmë. Aq më tepër që në drejtim kanë një trajner që punon në mënyrë profesionale dhe di se si t’ua marrë 100% lojtarëve.

Teuta është cilësuar prej të gjithëve si pretendente, do të jetë ky viti i titullit?
Gjëja kryesore është që ruajtëm me 90% grupin dhe jemi përforcuar akoma me lojtarë të tjerë cilësorë gjatë kësaj merkatoje dhe natyrisht kjo na jep të drejtën për të parë drejt titullit kampion.

Referuar merkatos së bërë nga klubet, cilët mund të cilësoni si rivalë të Teutës?
Them se rivalët tanë për titull do të jenë Laçi dhe Tirana, por nuk mund të harroj Partizanin, ndonëse nuk ka bërë afrime prej bllokimit të merkatos.
bregu daja krasniqi
Teuta ka vuajtur shumë në sulm, por me emra si Krasniqi, Bregu e Hebaj duket sikur golat nuk do të jenë me një problem… Mendoni dhe ju kështu?
Në fakt, që me ardhjen e Hebajt në gjysmën e sezonit të fundit, gjërat ndryshuan për mirë te ne, por me Krasniqin edhe Bregun sigurisht që jemi nga ekipet që kemi lojtarët më cilësorë në pjesën e sulmit. Besoj se ata të tre bashkë do të bëjnë gjëra të mira këtë kampionat.

Cila është pika më e fortë e këtij grupi?
Pyetja e ka përgjigjen brenda: Pika më e fortë e këtij ekipi është forca e grupit. Çdo lojtar që ishte apo edhe ka ardhur në merkato, mundohet t’i shërbejë maksimalisht Teutës. Te ne prioritet ka loja në grup, askush nuk mundohet që t’i shërbejë vetes.
Edi Martini
Martini në stol ka kthyer trofe e stabilitet në skuadër, ishte zgjedhje e duhur konfirmimi i tij?
Trajnerët maten me rezultate dhe fakt është që Edi Martini ka bërë shumë mirë që nga momenti që ka ardhur te Teuta. I ka marrë maksimumin ekipit, ka fituar dy trofe në periudhë të shkurtër dhe gjithashtu duke kaluar një tur në Europa League.
KALLAKU
Keni thënë se mungesa e Kallakut ka krijuar një “gropë”. Është mbushur ky boshllëk tashmë me prurjet në merkato?
Ne jemi përforcuar me lojtarë cilësorë edhe në mesfushë. E megjithatë, jo vetëm te ne, por edhe në kampionatin shqiptar apo liga shumë më të forta sesa jona, kanë mungesën e një lojtari tipik trekuartist ose numri 10, siç i themi ne. Ky është shkaku që shumë ekipe mundohen të zgjedhin të luajnë me një skemë tjetër, kur nuk e kanë këtë lojtar në këtë rol.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"