“Me merkato cilësore jemi pretendentë”, rrëfehet Renato Malota: Ju tregoj objektivat e Vllaznisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 20:06

“Me merkato cilësore jemi pretendentë”, rrëfehet Renato Malota: Ju tregoj objektivat e Vllaznisë

Qendërmbrojtësi lezhjan i Vllaznisë, Renato Malota, shpreson dhe beson shumë se nëse drejtuesit do të bëjnë goditjet e shumëprituara në merkaton e janarit, Vllznia do të jetë në vendet e kreut në tabelën e klasifikimit. Në të kundërt, ai e sheh këtë skuadër deri në mesin e tabelës së klasifikimit. 

renato malota

Afrimet sidomos në vijën e sulmit do të hapnin oreksin shkodranëve për të tentuar fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë. Lezhjani kuqeblu vlerëson shumë afrimin e bërë në repartin e mbrojtjes. Një afrim i tillë do të rrisë cilësinë edhe më tepër në këtë repart.

Si është gjendja e Malotës, pas atij shqetësimi që kishit në start të këtij viti? 

Gjendja ime është shumë e mirë, pasi nuk i kam ndaluar stërvitjet as në ditët që ekipi mori pushimet e festave të fundvitit. Kisha një shqetësim të vogël, asgjë më shumë. Nga ana tjetër, po stërvitem fort që të kem një gjendje sa më të mirë për pjesën e dytë të kampionatit.

Një fazë përgatitore në Ohër. Sa po i vlen kjo skuadrës? 

Mendoj se po na vlen shumë pasi këtu jemi dhe më të përqendruar te stërvitja dhe regjimi ka ndikimin e vet pozitiv. Këto janë gjëra shumë të rëndësishme për t’u rritur si ekip në aspektin fizik.

Afrimi i parë i merkatos së dimrit është një qendërmbrojtës. Sa e rrit kjo konkurrencën në këtë repart ku edhe ju bëni pjesë?

Mendoj se kanë bërë mirë, pasi konkurrenca në çdo repart na bën të punojmë dhe më fort dhe të jemi gjithmonë të përqendruar për të dhënë më të mirën. Kjo është diçka normale në çdo skuadër. Sezoni është i gjatë.

Drejtuesit po këmbëngulin për një merkato në te gjitha repartet. Nëse bëhet e mundur një gjë e tillë mund të shikojmë një Vllazni cilësore se ajo e pjesës së parë të sezonit?

Drejtuesit, po arritën që të bëjnë goditjet e duhura, pra ato blerje që skuadra ka nevojë, mendoj se do shihni një Vllazni pretendente për Kupat e Europës. Uroj të afrohen ata lojtarë që ne kemi nevojë dhe që në dy fazat e para është parë qartë se ku kemi çaluar.

Ngo-Malota

Mendoni se kjo skuadër do të jetë më lart në fund të sezonit dhe mund të shpresohet për një pjesëmarrje në Kupat e Europës? 

Kjo varet nga merkato që do bëhet. Nëse bëhet një merkato cilësore, mendoj se po. Në të kundërt, do të vuajmë përsëri në fazën sulmuese dhe do të jemi duke luftuar për mesin e tabelës e jo më lart. Uroj të na bashkohen lojtarë që do bëjnë diferencën, që të gjithë të shohim një Vllazni që nuk është parë të paktën këto vitet e fundit.

Fitimi i Kupës mund të jetë një objektiv për Vllazninë?

Duke shikuar që deri te fitimi i trofeut të Kupës nuk janë shumë ndeshje, atëherë kemi të drejtën të pretendojmë dhe mendoj se është e mundur një gjë e tillë. Do ishte diçka shumë e bukur nëse fitojmë Kupën këtë vit. E kam thënë edhe në intervista të tjera dhe po e përsëris, që kjo varet shumë nga merkatoja e këtij muaji.

 Admir Uruçi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"